I kërkuan para qytetarit, pezullohen dy policët. Detajet

Policia e Durrësit ka reaguar, pas lajmit të p7ublikuar në media ku një qytetar kosovar ka denoncuar dy punonjës policie se i kanë kërkuar ryshfet.

Përmes një deklarate për mediat, Policia njofton se janë pezulluar menjëherë nga detyra dy punonjësit e akuzuar, ndërsa thekson se po vijohet me hetimet.

Ja deklarata e plotë:

Në lidhje me një publikim në media online, ku një qytetar nga Kosova ka denoncuar dy punonjës policie me pretendimin se i kanë kërkuar ryshfet, bëjmë me dije se:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës sapo është njohur me rastin ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të I.Sh. dhe I.V.  efektive policie të Qarkullimit Rrugor, deri ne  sqarimin e rrethanave.

Nga verifikimet e kryera është konstatuar se në lidhje me rastin e denoncuar, për mjetin ne fjale është vendosur një masë administrative nga patrulla e Policisë.

Për veprime të mëtejshme më të hollësishme çështja është dërguar pranë Drejtorisë së Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, për evidentimin dhe marrjen e masave përkatëse.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderon çdo qytetar për bashkëpunimin dhe mediat për denoncimin, duke garantuar marrjen e masave konkrete ndaj punonjësve që shkelin ligjin.