Dhunuan drejtorin e IMT dhe policët e rrugores/ Arrestohen 3 autorët e ngjarjes në Vlorë - Ja çfarë ndodhi në Nartë...

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë arrestuar në flagrancë tre shtetas, I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe I. D., 23 vjeç, të tre banues në Vlorë, pas ngjarjes të rëndë të ndodhur ditën e djeshme në zonën e rrethrrotullimit të Nartës.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë kontrolleve të strukturave të Bashkisë Vlorë për lirimin e hapësirave publike, ku subjektet ushtronin aktivitet të shitjes së automjeteve dhe lavazhos, ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Drejtorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Vlorë, shtetasit D. K., 33 vjeç.

Menjëherë pas konstatimit të sulmit, punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor kanë ndërhyrë për të ndalur veprimet e paligjshme. Megjithatë, tre shtetasit e arrestuar kanë vijuar dhunën edhe ndaj punonjësve të Policisë, duke u shkaktuar atyre dëmtime trupore.

Gjatë përshkallëzimit të situatës, një prej punonjësve të Policisë ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit, me qëllim zbrapsjen e autorëve, pa shkaktuar asnjë lëndim.

Punonjësit e Policisë të dëmtuar ndodhen aktualisht të shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.