Rrezikohet integrimi/ 'Përjashtim nga Traktati për energjinë!’, BE ultimatum qeverisë shqiptare i cakton datën...

Zbardhen të tjera detaje nga vendimi i Ministerialit të Energjisë së Bashkimit Europian, ku ndëshkohet qeveria shqiptare sa i takon projekteve energjetike.
Siç shihet dhe nga vendimi i BE-së, duket se skandalet në të cilat është përfshirë zv/kryeministrja dhe ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, kanë bllokuar përmbushjen e detyrave nga ana e qeverisë shqiptare në sektorin e energjisë. Ministeriali i Energjisë së Bashkimit Europian ka vendosur të ndëshkojë qeverinë shqiptare duke dalë me një vendim më 18 dhjetor, ku theksohet se Shqipëria ka dështuar në respektimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Sipas dokumentit të Ministerialit të energjisë, Shqipëria nuk ka miratuar dhe zbatuar ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për t’u përputhur me Direktivën e Bashkimit Europian, që lidhet me përgatitjen për rrezikun në sektorin e energjisë elektrike. Ky vendim i fortë i Ministerialit të Energjisë mendohet se lidhet me tre projekte ku Balluku është investuar personalisht, si TEC-i i Roskovecit, ku dyshohet si investitore edhe një korporatë ruse, anijet energjitike “Tigrat” në Vlorë dhe destabilizimi i linjave të interkonjeksionit europian për shkak të marrëveshjeve korruptive.

Bashkimi Europian ka vendosur se qeveria shqiptare duhet të raportojë gjatë vitit 2026 se çfarë hapash do të ndërmarrë në korrigjimin e problemeve të konstatuara në politikat e energjisë. “Shqipëria duhet të marrë të gjitha masat e duhura për të ndrequr shkeljen e identifikuar në nenin 1 dhe për të siguruar menjëherë pajtueshmërinë me ligjin e Komunitetit të Energjisë. Shqipëria do të raportojë rregullisht në Sekretariat dhe në Grupin e Përhershëm të Nivelit të Lartë në lidhje me masat e marra në vitin 2026”, – theksohet në vendimin e Ministerialit të Energjisë së Bashkimit Europian.

Nëse shkeljet e Shqipërisë nuk janë korrigjuar deri më 1 korrik 2026, Sekretariati ftohet të fillojë një procedurë sipas nenit 92 të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, që parashikon pezullimin e disa të drejtave që rrjedhin nga zbatimi i këtij traktati për palën përkatëse, duke përfshirë pezullimin e të drejtave të votimit dhe përjashtimin nga mbledhjet ose mekanizmat e parashikuar në këtë traktat.

Dokumenti:

VENDIM I KËSHILLIT MINISTERIAL TË KOMUNITETIT TË ENERGJISË

Mbi mosrespektimin nga Shqipëria të Traktatit të Komunitetit të Energjisë në Çështjen ECS-5/24

KËSHILLI MINISTERIAL I KOMUNITETIT TË ENERGJISË,

Duke pasur parasysh Traktatin që themelon Komunitetin e Energjisë (“Traktati”), dhe në veçanti nenin 91(1)(a) të tij;

Në bazë të Kërkesës së Arsyetuar të Sekretariatit në Çështjen ECS-5/24, datë 29 maj 2024;

Duke pasur parasysh Opinionin e Komitetit Këshillimor të themeluar sipas nenit 32 të Rregullave për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve, datë 24 nëntor 2024;

KA MIRATUAR KËTË VENDIM:

Neni 1

Mosrespektimi nga Shqipëria i Traktatit

Duke mos miratuar dhe zbatuar ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për të qenë në përputhje me Direktivën (BE) 2019/944¹ dhe Rregulloren (BE) 2019/941², siç janë përshtatur dhe miratuar me Vendimin 2021/13/MC-EnC, si dhe me Rregulloren (BE) 2019/942³, Rregulloren (BE) 2019/943⁴, Rregulloren (BE) 2015/1222, Rregulloren (BE) 2016/1719, Rregulloren (BE) 2017/2195, Rregulloren (BE) 2017/2196, Rregulloren (BE) 2017/1485⁵, siç janë përshtatur dhe miratuar me Vendimin 2022/03/MC-EnC, deri më 31 dhjetor 2023, dhe duke mos informuar ose njoftuar menjëherë Sekretariatin për këto masa, Shqipëria nuk përmbush detyrimet sipas nenit 2 të Vendimeve 2021/13/MC-EnC dhe 2022/03/MC-EnC, si dhe sipas neneve 6 dhe 89 të Traktatit.

Për arsyet që mbështesin këto konstatime, i referohet Kërkesës së Arsyetuar.

Neni 2

Hapat pasues

Shqipëria duhet të marrë të gjitha masat e duhura për të korrigjuar shkeljen e identifikuar në nenin 1 dhe për të siguruar përputhshmëri të menjëhershme me legjislacionin e Komunitetit të Energjisë. Shqipëria do të raportojë rregullisht pranë Sekretariatit dhe Grupit të Përhershëm të Nivelit të Lartë mbi masat e marra gjatë vitit 2026.

Nëse shkelja nuk është korrigjuar deri më 1 korrik 2026, Sekretariati ftohet të nisë një procedurë sipas nenit 92 të Traktatit.

Neni 3

Adresat dhe hyrja në fuqi

Ky Vendim u drejtohet Palëve dhe institucioneve sipas Traktatit. Ai hyn në fuqi në momentin e miratimit të tij.

Hartuar në Vjenë, më 18 dhjetor 2025