'Pati Presion...' Bardhi: Kushtetuesja votoi në favor të SPAK për pezullimin e Ballukut, por një gjyqtar kërkoi të rivotojë sërish

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, zbuloi prapaskenat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi vendimin e GJKKO-së dhe vendosi rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut. 

I  ftuar në “Studio 24”, u shpreh se në votimin e parë të Gjykatës Kushtetuese ndarja e votave 4 me 4, do të linte në fuqi këtë vendim.

Por ka qenë një nga anëtaret e trupës së gjyqtarëve që ka kërkuar të rivotojë pasi e ka rivlerësuar edhe njëherë zgjedhjen e saj.

Gazment Bardhi: Berisha ka vlerësuar punën e prokurorisë dhe guximin e prokurorëve në rastin e Ballukut.

A e dini ju që Kushtetuesja ka votuar njëherë dhe rezultati ka qenë 4 me 4 që dmth se vendimi i SPAK qëndronte në fuqi dhe Balluku vijonte e pezulluar, dhe një nga gjyqtarët ka thënë e rihedhim dhe njëherë në votim sepse e rivlerësova dhe dua të votoj ndryshe.

Unë kam thënë se ndaj GJK po ushtrohet presion. Nuk ka ndodhur kurrë që një gjyqtar pasi të ketë votuar, një gjyqtar të kërkojë ta rivotojë dhe unë e marr si shenjë të fortë presioni.