Opozita proteston duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit pas akuzave për korrupsion ndaj Ballukut
Mbështetës të Partisë Demokratike në opozitë protestuan në Tiranë kundër qeverisë së Edi Ramës, pasi prokurorët antikorrupsion akuzuan zëvendëskryeministren e tij dhe zhvilluan kontrolle ndaj zyrtarëve të AKSHI-t.
Mijëra qytetarë u mblodhën të hënën para Kryeministrisë në Tiranë në një protestë të organizuar nga Partia Demokratike, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pasi zëvendësja e tij, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, u akuzua për ndërhyrje në prokurime publike.
“Ky është vetëm fillimi,” tha deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, duke paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë. Edhe parti të tjera më të vogla opozitare zhvilluan protesta gjatë fundjavës.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka kërkuar heqjen e imunitetit parlamentar të Ballukut për të mundësuar arrestimin e saj.
Ndërkohë, Rama ka kritikuar akuzat ndaj saj dhe nuk ka dhënë asnjë sinjal se mazhoranca socialiste në Kuvend do ta lehtësojë procesin për SPAK-un, deri sa Gjykata Kushtetuese të vendosë në janar për pezullimin e Ballukut nga detyra. Vetë Balluku i ka quajtur akuzat “insinuata”, “gjysmë të vërteta” dhe “gënjeshtra”.
Protestuesit në Tiranë u zemëruan gjithashtu nga lajmi se SPAK ka ushtruar kontrolle ndaj anëtarëve të një grupi të dyshuar kriminal, të akuzuar për manipulim tenderësh në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI. Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi, janë vendosur në arrest shtëpie.
AKSHI është një nga institucionet më të rëndësishme në vend. Ajo administron pothuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes portalit e-Albania dhe shërben si ndërmjetëse mes qytetarëve dhe institucioneve për lëshimin e dokumenteve online. / Balkan Insight – Syri.net