SYRI TV/ Spiropali deklaratë skandaloze në Shkup: Shqiptarët minoritet shtetformues në RMV
Shefja e diplomacisë shqiptare, Elisa Spiropali, ka bërë një deklaratë skandaloze duke e cilësuar popullin shqiptar në Maqedoninë e Veriut si minoritet shtetformues, pavarësisht se shqiptarët përbëjnë gati 30% të popullsisë. Deklaratat u bënë gjatë një konference shtypi në Shkup me ministrin maqedonas të Tregtisë. Reagimi ka qenë i menjëhershëm, teksa mediat shqiptare në Maqedoninë e Veriut kërkojnë një sqarim zyrtar nga Shqipëria për të kuptuar nëse deklarata ishte një gafë diplomatike apo ndryshim i qëndrimit të Tiranës zyrtare ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka bërë një deklaratë skandaloze ndaj shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Gjatë një konference të përbashkët për mediat me Ministrin për Punë dhe Tregëti të Maqedonisë së Veriut, Timco Mucunski, Elisa Spiropali e ka cilësuar popullin shqiptar në Maqedoninë e Veriut si minoritet shtetformues, pavarësisht se shqiptarët në këtë shtet përbëjnë 29.5% të popullsisë, sipas censusit të fundit të mbajtur në vitin 2022. Cilësimi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si minoritet u përsërit të paktën dy herë nga Spiropali gjatë konferencës me ministrin maqedonas. Shefja e diplomacisë shqiptare shkon edhe më tej në deklaratën e saj, duke e krahasuar popullin shqiptar në Maqedoninë e Veriut me minoritetin maqedonas që jeton në Shqipëri.
Në asnjë rresht të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut nuk përdoret fjala "minoritet shtetformues" për shqiptarët. Dokumenti themeltar i shtetit fqinj flet për qytetarë të Republikës së Maqedonisë, popull maqedonas dhe qytetarë shqiptarë, turq, boshnjakë etj., por nuk përdor emërtimin "minoritet", siç pretendon zonja Spiropali. Për më tepër, sipas kësaj Kushtetute, çdo qytetar që jeton në njësitë e vetadministrimit lokal, në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, siç është rasti i shqiptarëve, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive, mund ta përdorë cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj. Deklarata e Spiropalit ka sjellë një reagim të menjëhershëm edhe nga vetë komuniteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili nuk është një minoritet, por përbën gati 30% të popullsisë. Mediat shqiptare në Maqedoninë e Veriut kërkojnë një sqarim zyrtar nga Republika e Shqipërisë pas kësaj deklarate të ministres së Jashtme, për të kuptuar nëse deklarata ishte një gafë diplomatike apo ndryshim i qëndrimit të Tiranës zyrtare ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.