Atentati ndaj gjeneralit rus/ 300 gram tritol poshtë sediljes së shoferit! Shpërthimi ndodhi kur shtypi frenat
Një autobombë vrau një gjeneral rus në qendër të Moskës, një tjetër konfirmim se Ukraina arrin të godasë edhe në kryeqytetin e Rusisë dhe se asnjë nga armiqtë e saj nuk mund të ndihet i sigurt.
Sulmi përbën padyshim një turpërim për Vladimir Putinin dhe pritet të provokojë një reagim ushtarak edhe më të ashpër nga Kremlini, përtejpërshkallëzimit të bombardimeve të javëve të fundit.
Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pas përfundimit të një raundi të ri negociatash në Majemi mes emisarëve amerikanë, rusë dhe ukrainas, ku megjithatë nuk pati bisedime të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të Moskës dhe Kievit, siç kishte propozuar Shtëpia e Bardhë. Takimet u cilësuan “konstruktive” nga pjesëmarrësit amerikanë dhe rusë, por në Moskë këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Jurij Ushakov, i përshkroi ato si “pak konstruktive”.
Oficeri i lartë i vrarë sot në mëngjes nga një atentat me eksploziv është gjenerali Fanil Sarvarov, shef i Drejtorisë së Trajnimit Operativ të Shtabit të Përgjithshëm rus. Hetimet e para të prokurorisë ruse thonë se mes hipotezave që po shqyrtohen është edhe ajo se bomba është “vendosur nga shërbimet speciale ukrainase”.
Pajisja shpërthyese, e prodhimit artizanal, kishte një fuqi prej 300 gramësh tritol. Ajo ishte vendosur me magnet nën automjetin Kia Sorento të Sarvarovit, pranë sediljes së shoferit. Agjencia Tass raporton se shpërthimi ka ndodhur në momentin kur drejtuesi i mjetit ka shtypur frenat.
Autobomba con 300 grammi di tritolo uccide un generale russo nel cuore di Mosca |
Gjenerali Sarvarov ishte 56 vjeç dhe kishte një përvojë të gjatë. I lindur në rajonin e Perm-it, në malet Urale, ai ishte formuar në akademitë ushtarake të forcave të blinduara dhe të Shtabit të Përgjithshëm. Së fundmi drejtonte Drejtorinë e Trajnimit Operativ të Ministrisë së Mbrojtjes. Në vitin 2024, kishte marrë nga presidenti Putin gradën gjeneral-lejtnant. Midis viteve 1992 dhe 2003 kishte marrë pjesë në operacione luftarake gjatë konfliktit osseto-ingush dhe në operacione antiterroriste në Çeçeni. Në periudhën 2015–2016 mori pjesë në ndërhyrjen e forcave të armatosura ruse në Siri. Ai ka pasur rol edhe në pushtimin e Ukrainës, për çka u përfshi në listën e “kriminelëve të luftës” të hartuar nga portali ukrainas Mirotvorets (Paladinët e Paqes). Gjatë karrierës është dekoruar me disa urdhra, mes tyre Urdhri i Guximit, Urdhri i Meritës për Atdheun dhe Urdhri i Meritës Ushtarake.
Që nga nisja e ofensivës ruse kundër Ukrainës në shkurt 2022, Kievi është dyshuar disa herë se qëndron pas sulmeve të shënjestruara ndaj figurave dhe përgjegjësve ushtarakë rusë, si në Rusi ashtu edhe në territoret ukrainase të pushtuara ilegalisht nga Moska.
Në gusht 2022, shpërthimi i një makine vrau në kryeqytetin rus Darja Dugina, vajzën e ideologut ultranacionalist Aleksandër Dugin. Në prill 2023, një bloger ushtarak rus, Maksim Fomin, humbi jetën nga shpërthimi i një statuje në një kafene në Shën Petersburg. Së fundmi, në prill, gjenerali Jarosllav Moskalik, zëvendësshef i Drejtorisë së Përgjithshme Operative të Shtabit të Përgjithshëm rus, u vra nga shpërthimi i një makine pranë Moskës. Ndërsa në dhjetor 2024, komandanti i forcave ruse të mbrojtjes radiologjike, kimike dhe biologjike, Igor Kirillov, u vra nga shpërthimi i një monopatine elektrike të mbushur me eksploziv në Moskë, një veprim marrë përsipër nga shërbimet e sigurisë ukrainase.
Ndërkohë, lufta vazhdon. Anijet janë dëmtuar pas një sulmi me dronë ukrainas në fshatin Volna, në rrethin e Temryukut, në Rusi. Sulmet e natës nga forcat ruse kanë goditur infrastrukturë civile në Odesa, duke lënë pa energji elektrike një pjesë të lagjeve të qytetit. Forcat ruse kanë bombarduar gjithashtu katër zona të rajonit të Dnipropetrovskut, duke shkaktuar zjarre dhe dëme të mëdha.
Ndërkohë, të dielën u mbyll një fundjavë bisedimesh në Florida, ku emisarët e Trumpit, negociatori Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, u takuan veçmas me delegacione negociatorësh rusë dhe ukrainas. “Diskutimet tona po ecin në mënyrë konstruktive”, deklaroi në përfundim të takimeve Kirill Dmitriev, kreu i delegacionit rus. Por, duke folur për agjencinë Tass të dielën në mbrëmje në Moskë, këshilltari kryesor i Putinit për politikën e jashtme, Jurij Ushakov, vuri në dukje se shumica e propozimeve të diskutuara janë shtyrë përpara nga ukrainasit dhe liderët evropianë dhe janë “mjaft negative”. Nuk është e qartë nëse ai i referohej vetëm bisedimeve të fundjavës në Miami apo në përgjithësi procesit negociator të nxitur nga Shtëpia e Bardhë.