Kërkohet 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit për tentim vrasje dhe rrëmbim të Vukashinoviçit
I dyshuari për dhënien e ndihmës në tentim vrasjen dhe rrëmbimin e Milan Vukashinoviçit, Vidosav Mitroviç, është sjellur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar gjykatës t'ia caktojë masën e sigurisë të paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Pas seancës dëgjimore gjykata do të nxjerrë vendim lidhur me masat e sigurisë për të dyshuarin.
Policia e Kosovës ka njoftuar të dielën se gjatë bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të arrestuarit për përfshirje në plagosjen dhe rrëmbimin e dyshuar të shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq, ka gjetur një armë dhe disa fishekë.
“Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale: nëntë telefona celularë, një laptop, tri dokumente të formatit A4, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë të armës së gjuetisë, si dhe një tytë arme. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Avokati i Mitroviçit, Dejan Vasiq, ka thënë se gjatë intervistimit i dyshuari e ka mohuar se ka ndihmuar në rastin e Vukashinoviçit.