'Koha për reagim është tani'/ Haxhinasto: Ky popull proteston. Anija e regjimit po mbytet, rrëzimi i tij është i pashmangshëm

Partia e Lirisë mblodhi sot Komitetin Drejtues Kombëtar, ku Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, Z. Edmond Haxhinasto mbajti fjalën e tij.

Ai deklaroi se vullneti i popullit vidhet dhe blihet nga një makineri krimi dhe manipulimi mediatik që, sipas tij, kontrollon ekonominë, institucionet dhe sistemet kryesore të shtetit.

Haxhinasto theksoi se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, se shteti është i kapur nga krimi dhe se qytetarët e varfër janë më të dëmtuarit nga korrupsioni.

Duke iu referuar izolimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, ai u shpreh se kjo ndodh nga frika ndaj lidershipit të tij, por se e drejta do të triumfojë.

Sipas tij, protesta është një e drejtë e lindur dhe shprehje e dinjitetit qytetar, duke ftuar shqiptarët të reagojnë kundër asaj që e cilësoi si bandë të pangijshme në pushtet.

Në përfundim, Haxhinasto tha se prioritet i Partisë së Lirisë, si pjesë e frontit opozitar, është rrëzimi i regjimit aktual dhe nisja e ndryshimit përmes protestës së sotme.

Haxhinasto:

Nuk ka moment më të vështirë për një popull kur keq-trajtimi, vjedhja dhe dhunimi i tij është bërë kaq haptazi dhe me kaq arrogancë, siç po i ndodh sot shqiptarëve nga keq-qeverisja.

Sot, kalvari i mbijetesës është tejzgjatur nga një bandë e pangijshme dhe kleptomane, të cilët mirëqenien dhe ekzistencën e tyre publike e gëzojnë sepse vodhën një ëndërr të një populli tepër të varfër.

Ky popull sot po dhunohet haptazi në gjithë ekzistencën e tij. Siguria e jetës, që në lindje, një e drejtë universale e çdo individi, sot është përdhosur. Shqiptarët sot lindin më pak, kanë më shumë sëmundje në trupin e tyre, nga ndotja dhe ushqimi i pakontrolluar, paguajnë më shumë se çdo evropian tjetër për shëndetin e tyre nga xhepi, mësojnë e nxënë më pak në shkolla e universitete, paguhen më pak për punën që bëjnë dhe paguajnë më shumë për të mbijetuar.

Vullneti i këtij populli vidhet e blihet nga një makineri krimi e trullosje mediatike e kësaj bande që financohet nga droga e trafikët. E cila nuk kursen asgjë: as Kushtetutën, as themelet e shtetit. Banda e krimi nuk kursejnë asgjë. Ata kontrollojnë sistemet e komunikimit, të bankave, të parave, të prokurimeve, të komunikimeve të klasifikuara, të ilaçeve që mbajnë jetë gjallë, të pensioneve e të ndihmës ekonomike. Asgjë nuk kursehet, asgjë nuk është më e sigurtë.

Duart e kleptomanëve futen dhe vjedhin miliona drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit, por më tepër, në xhepat e shqiptarëve të varfër.

Ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Mbrojtësit e ligjit, shpesh nuk janë zbatues të tij. Policia shpesh është njësh me bandën.
Shteti ka rënë. Krimi ka hyrë në çdo qelizë të tij.

Presidenti i Partisë së Lirisë është në izolim të plotë. Ia kanë shumë frikën lidershipit të tij. Por e drejta do të vonojë, por do të ngadhënjejë.

Ndërkohë, të pangijshmit e pushtetit rrëshqasin në labirinte procedurash gjyqësore, e mbrojtje politike.

Por laku po shtrëngohet. Anija e bandës po fut ujë nga shumë drejtime. Mbytja është e pashmangshme.

Me këtë popull u tallën. Ju tha se ky popull nuk ngrihet. Po jo! Ky popull proteston. Shqiptarët kanë protestuar gjithnjë në heshtjen e tyre, në zemrën dhe shpirtin e tyre. Kanë protestuar me largimet masive si asnjë komb tjetër. Por shqiptarët dinë të protestojnë edhe me zë të lartë. Dhe këtë do ta tregojnë edhe sot.

Protesta është një e drejtë e lindur. Qeniet me ndërgjegje protestojnë kur u shkelen të drejtat, dinjiteti.

Protesta nuk është për kreditim për partitë. Është shprehje e indinjatës si individë, si familje, si shoqëri. Është guximi për të shprehur dinjitetin, moralin, karakterin si individë. Protesta është tregues i dinjitetit të lartë që kemi si popull.

Protesta është për t’i thënë MJAFT një bande të pangijshme që dhunojnë njerëzit, fëmijët, fëmijët e fëmijëve, të lindurit e ata që do të lindin. Që dhunojnë besimin, ëndrrën, shpresën, por edhe bukën në pjatë.

E keqja ka trokitur në derën e secilit prej nesh. Nuk ka më as alibi, as pritje për të parë “si do shkojnë gjërat”. KOHA ËSHTË TANI.

Partia e Lirisë, është e kthjellët për misionin që ka përpara. Si pjesë e frontit opozitar, në krye të prioriteteve të saj është rrëzimi i regjimit të pangijshëm e kleptoman.

Më tej, sfida jonë është të realizojmë prioritetet madhore për t’u kthyer shqiptarëve sovranitetin të zgjedhin, për të ndalur shpopullimin, për të mbështetur familjen, për të zhvilluar vendin, për të fuqizuar rininë.

Por asgjë nuk mund të realizohet për transformimin themelor, largimin e narkoqeverisë. Koha është sot! Dhe koha fillon me protestën si shprehje e dinjitetit të gjithsecilit.