Vlorë/ Përplasje gjatë aksionit për heqjen e tendave në biznese, policia qëllon në ajër

Një aksion i përbashkët i Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës është shoqëruar sot me një incident të tensionuar. Katër qytetarë, të cilët kundërshtonin ndërhyrjen e autoriteteve në disa biznese, janë përplasur fizikisht me drejtorin e IMT-së dhe inspektorin përgjegjës.

Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Vlorës, ku pas përplasjes fizike kanë ndërhyrë efektivët e Policisë Rrugore për të neutralizuar situatën. Gjatë ndërhyrjes, një nga punonjësit e policisë është goditur nga disa persona, duke u detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër për të shpërndarë turmën.

Pas incidentit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat speciale “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar në komisariat personat e përfshirë në konflikt për veprime të mëtejshme procedurale.

Policia njofton se aksioni për lirimin e hapësirave publike do të vijojë, ndërsa hetimet për ngjarjen janë duke u zhvilluar për identifikimin e të gjithë personave dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.

Njoftimi i policisë:

Sot, rreth orës 12:20, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës ka ndodhur një konflikt ndërmjet punonjësve të INUV dhe shtetasve I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç. Në afërsi të konfliktit kanë qenë duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e sipërpërmendur.

Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.

Si pasojë e dëmtimeve fizike të shkaktuara nga goditjet e tre shtetasve,  dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga OPGJ i Prokurorisë dhe AMP, të cilët po vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.