Kriza ekonomike reflektohet në Korçë, markata pa blerës në prag festash
Fundviti pritet të jetë edhe më i vështirë për familjet korçare, të cilat po përballen me një situatë të rënduar ekonomike. Kjo pasqyrohet qartë në tregun e markatës së qytetit, që në këtë periudhë festive zakonisht ishte i mbushur me blerës, por sot paraqitet thuajse bosh.
Tezgat janë të furnizuara, por mungojnë qytetarët, duke treguar se fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm dhe shpenzimet po kufizohen vetëm tek më të domosdoshmet.
Qytetarët shprehen se të ardhurat janë shumë të pakta dhe nuk përballojnë as nevojat bazë të familjes, e jo më shpenzimet shtesë që sjell fundviti. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, energjisë dhe shërbimeve ka vështirësuar edhe më shumë jetesën e përditshme, duke i detyruar shumë familje të heqin dorë nga traditat e festave.
Shumë prej tyre fajësojnë drejtpërdrejt kryeministrin dhe politikat qeveritare, të cilat, sipas tyre, nuk kanë arritur të përmirësojnë standardin e jetesës.
Qytetarët thonë se mungesa e mbështetjes për shtresat në nevojë, pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta ka sjellë këtë realitet të vështirë, duke e kthyer fundvitin në një periudhë të vështirë në vend të gëzimit dhe festës.