Dëshironte udhëtim falas nga Londra në Oslo, i riu arrestohet në avion pasi u kap pa biletë

Pa biletë deri në avionin për Oslo, zbulohet vetëm sepse fluturimi ishte plot.

Një incident i pazakontë sigurie është regjistruar në aeroportin Heathrow të Londrës, ku një i ri arriti të hipte në një avion të British Airways drejt Oslos pa paraqitur as biletë dhe as pasaportë. Rasti është raportuar nga La Repubblica, duke cituar burime të gazetës britanike The Telegraph.

Siç raporton La Repubblica, i riu, rreth moshës 20-30 vjeç, me flokë të çrregullt, i veshur me pantellona të çelëta dhe me një çantë shpine, arriti të kalojë të gjitha kontrollet e sigurisë dhe të identitetit në Terminalin 3 të Heathrow pa treguar dokumente. Ai u fut gjithashtu në portën e imbarkimit për fluturimin e orës 7:20 të mëngjesit të së shtunës, më 13 dhjetor, drejt kryeqytetit norvegjez.

Pasi hipi në Airbus A320, i riu u ul fillimisht në një vend bosh, por u detyrua të lëvizte disa herë, pasi vendet kërkoheshin nga pasagjerë të tjerë me bileta të rregullta. Vetëm kur të gjithë pasagjerët e fluturimit, i cili rezultoi plotësisht i mbushur, zunë vendet e tyre të caktuara, stafi i kabinës kuptoi se një person ndodhej në bord pa kartë imbarkimi.

Pas ndërhyrjes së policisë, i riu u arrestua dhe fluturimi u vonua për rreth tre orë. Besohet se ai ka përdorur teknikën e njohur si “tailgating”, duke u futur pas pasagjerëve të tjerë në pikat e kontrollit dhe duke u shtirur si pjesë e familjeve të ndryshme, pa u ndalur për verifikim dokumentesh.

As British Airways dhe as autoritetet e aeroportit Heathrow nuk kanë komentuar zyrtarisht mbi incidentin. Megjithatë, theksohet se i riu kishte kaluar kontrollet e sigurisë dhe nuk përbënte rrezik, pasi nuk mbante objekte të ndaluara. Qëllimi i tij duket se ishte thjesht të udhëtonte falas drejt Oslos.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi procedurat e sigurisë në një nga aeroportet më të mëdha të Evropës, duke nxitur debat mbi dobësitë e mundshme në sistemet e kontrollit të pasagjerëve.