Kakavijë/ Mbi 7300 persona lëvizën në 24 orë në të dyja anët e kufirit
Në Stacionin Kufitar të Kakavijes vijon të regjistrohet fluks i lartë lëvizjesh në të dyja anët e kufirit me Greqinë. Sipas Policisë Kufitare të Gjirokastrës, gjatë 24 orëve të fundit, përmes kësaj pike kufitare kanë udhëtuar gjithsej 7334 shtetas dhe 2 342 automjete, në hyrje dhe dalje.
Fluksi më i madh i lëvizjes është shënuar në drejtim të territorit shqiptar, pasi bashkatdhetarët po kthehen për të festuar në vendlindje. Gjatë 24 orëve të fundit, në sportelet e hyrjes në Kakavijë janë regjistruar 4 828 persona dhe 1 373 automjete, ndërsa në drejtim të Greqisë kanë udhëtuar 2 506 persona dhe 969 automjete.
Autoritetet kufitare bëjnë me dije se fluksi i lëvizjes në doganën e Kakavijes pritet të mbetet i lartë edhe në ditët në vijim.