XOXO Gossip Girl: Ju ka marrë malli për serialin ikonik?

E mbani mend Gossip Girl, serialin më ikonik të viteve 2000, i cili në vetëm pak kohë u kthye, në një fenomen kulturor për brezin e atëhershëm që ndoqi me kërshëri 121 episodet e tij. Si një udhërrëfyes mode dhe stili jetese, Gossip Girl u transmetua për pesë vite duke gdhendur një imazh të artë për New York-un.

Seriali i bazuar në librat e Cecily von Ziegesar është xhiruar në New York, veçanërisht në Upper East Side, Manhattan dhe Brooklyn për disa skena. New York-u nuk ishte thjesht një sfond për Gossip Girl-in, por një personazh më vete në rrëfim.

Pa dyshim që nuk keni harruar për Blair, “mbretëreshën” e Upper East Side, apo për Chuck-un me personalitetin e errët dhe karizmatik, por këta nuk janë të vetmit personazhe që kanë mbajtur peshën e suksesit të prodhimit mijëra dollarësh.

Në rrethin e protagonistëve Serena, ikona e stilit, Nate, Dan apo Jenny gjithashtu përfaqësojnë në një mënyrë kontradiktën e elitës së New York-ut me shtresën e zakonshme.

Trendet e modës, apartamentet luksoze, shkollat private, narratori misterioz, intrigat dhe romanca që lindën pikërisht nga seriali, e kthyen këtë të fundit jo vetëm në një nga krijimet epike të Josh Schwartz dhe Stephanie Savage, por në muzën e gjithë prodhimeve që u frymëzuan pikërisht nga ai.