Pse vulat e pasaportës mund t’i përkasin së shkuarës
Procesi i dorëzimit të pasaportës te një punonjës kufitar dhe marrja e një vule që sinjalizon mbërritjen në një shtet të ri, shumë shpejt mund të mbetet vetëm kujtim.
Në tetor 2025, Bashkimi Evropian nisi zbatimin e Sistemit të Hyrje/Daljes (EES), një mjet i ri dixhital për menaxhimin e kufijve, i cili regjistron të dhëna biometrike si edhe datat e hyrjes dhe daljes së shtetasve jo-BE që udhëtojnë drejt dhe nga zona Shengen. Pasi të zbatohet plotësisht në prill 2026, sistemi do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave me kontroll dixhital, duke e bërë procesin më efikas dhe më të sigurt – dhe duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si disa udhëtarë kalojnë kufijtë evropianë.
Ky ndryshim është pjesë e një tendence më të gjerë globale. Vende si Australia, Japonia dhe Kanadaja tashmë përdorin të dhëna biometrike në pikat kufitare, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar plane për të zgjeruar sisteme të ngjashme. Ndërsa përpunimi dixhital bëhet normë, kjo mund t’i japë fund në heshtje një rituali të vjetër udhëtimi: mbledhjes së vulave në pasaportë.
“Versione të vulave të pasaportës shkojnë që nga Mesjeta apo Rilindja,” thotë Patrick Bixby, profesor në Universitetin Shtetëror të Arizonës dhe autor i librit License to Travel: A Cultural History of the Passport. “Një vulë dylli vendosej në letrat e kalimit nga sovranët në Evropë. Këtu, sipas meje, janë fillesat.”
Ndërsa dokumente udhëtimi – dhe lloj-lloj vulash – kanë ekzistuar prej shekujsh, vetëm në fillim të shekullit XX pasaportat moderne nisën të marrin formë. Pas Luftës së Parë Botërore, Lidhja e Kombeve ndihmoi në formalizimin e standardeve të pasaportave, ndërsa kufijtë filluan të rregulloheshin më rreptësisht.
Në vitet 1950, tradita më moderne e marrjes së vulave në pasaportë u shndërrua në një simbol lëvizshmërie dhe statusi, teksa bota hynte në “epokën e artë” të udhëtimeve, kur fluturimet u bënë më të përballueshme për publikun e gjerë.
“Ishte në të vërtetë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore dhe rifillimit të udhëtimeve ndërkombëtare që vulat nisën të merrnin vlerën sentimentale që kanë sot,” shton Bixby.
“Do të më mungojnë vërtet vulat e pasaportës,” thotë Hristina Nabosnyi, e cila jeton në Londër. “Për mua, ato kanë qenë gjithmonë më shumë se thjesht dëshmi hyrjeje – janë shenja të vogla kujtimesh të vendeve të vizituara dhe shteteve ku kam udhëtuar.”
Edhe shkrimtarja me bazë në Nju Jork, Elle Bulado, pajtohet. “Humbja e vulave të pasaportës është e hidhur dhe e ëmbël njëkohësisht. Edhe pse e kuptoj nevojën për procese më të shpejta dhe më efikase, marrja e një vule ka qenë gjithmonë një lloj mirënjohjeje e vogël,” thotë ajo. “Është provë që ke kaluar një kufi dhe ke mbërritur në një vend që dikur vetëm e ëndërroje. Do të më mungojë ky zakon nëse vulat zhduken.”
Të tjerë janë më pragmatikë. Jorge Salas-Guevara, president dhe themelues i kompanisë turistike New Paths Expeditions, është entuziast për kohën që mund të kursejë procesi i ri i dixhitalizuar. “Kaloj rreth 250 deri në 300 ditë në vit në udhëtim, duke kaluar vazhdimisht kufij, kështu që për njerëz si unë ky ndryshim është lehtësim.”
Edhe pse disa udhëtarë do t’i mungojë nostalgjia e mbledhjes së vulave të pasaportës, shumë prej tyre planifikojnë t’i shënojnë udhëtimet në mënyra të tjera, si mbledhja e magneteve të frigoriferit apo suvenireve të ndryshme.
Megjithatë, për Bixby-n, do të ketë gjithmonë diçka të veçantë në pasjen e një dëshmie fizike të udhëtimeve. “Kjo është në të vërtetë një pyetje më e madhe për analogun kundrejt dixhitales,” thotë ai. “Ka diçka tek fakti që ke me vete [një dokument] që ishte aty me ty në atë moment. Kjo krijon një lloj aureole rreth objektit fizik, e cila zhduket kur gjithçka bëhet dixhitale.”/BBC