Serbi anulon ndeshjen, luftëtari shqiptar i përgjigjet: Shihemi kur të kesh kurajon për t’u përballur
Përballja e shumëpritur mes luftëtarit shqiptar të MMA, Eduard Drenica dhe serbit Petar Jakovljeviç nuk do të zhvillohet.
Eduard Drenica përmes disa videove në “Instagram” ka njoftuar të gjithë se ndeshja e zjarrtë është anuluar vetëm katër orë para se të niste.
Të gjitha detajet ishin kompletuar, përfshirë edhe matjen zyrtare, megjithatë serbi nuk është shfaqur fare në vendin ku duhej të zhvillohej ndeshja.
Jakovljeviç përmes një postimi gjithashtu pretendoi se është sulmuar fizikisht nga katër persona dhe që policia është duke u mbrojtur, prandaj edhe përballja nuk do të zhvillohet.
Ndërkohë, Eduard Drenica shkroi se ky i fundit thjesht nuk guxoi të dilte në ring, duke gjetur edhe justifikime.
“Ti flet për politikë, unë për luftë. Ti flet për siguri, unë shfaqem kur dhe ku të nevojitem. Ti flet për para, unë nënshkruaj që të futem në kafaz. Ti thua se je amator, por kërkon 15 mijë franga si kampion. Ti thua se nuk je gati dhe prandaj nuk shfaqesh, por vetëm shkruan. Unë luftoj, pro ose amator. Në shkurt ose në prill. Jam gati, dëshmo që edhe ti je. Ti thua se kemi nevojë për ty, por e vërteta është që të nevojitet kjo ndeshje për ta dëshmuar veten. Në vend të kësaj, ti bën hap mbrapa. Ne nuk fluturojmë, qëndrojmë në tokë, punojmë, stërvitemi dhe luftojmë. Edhe ti fluturove… por larg ringut. Nëse një ditë dëshiron ta dëshmosh që je luftëtar, do të jem këtu. Deri atëherë, fjalët mbesin fjalë. Ringu kurrë nuk gënjen. Shihemi kur do që të kesh kurajon për t’u përballur me mua”, njoftoi ai.