Transporti drejt falimentimit, Interbuz Vlorë në protestë. Bllokohen rrugët kryesore

Shoqëria e transportit Interbuz Vlorë njofton mediat dhe opinionin publik se ditën e hënë, më datë 22.12.2025, do të hyjë në grevë dhe protestë paqësore, si pasojë e konkurrencës së hapur dhe të jashtëligjshme që prej kohësh po vepron në linjën Vlorë–Tiranë, duke e çuar këtë linjë drejt falimentimit të plotë.

Pavarësisht se Interbuz Vlorë operon me licencë të rregullt, respekton të gjitha detyrimet ligjore, paguan taksa, sigurime dhe garanton sigurinë e pasagjerëve, institucionet përgjegjëse kanë dështuar të ushtrojnë kontroll dhe të zbatojnë ligjin, duke lejuar subjekte të palicencuara të ushtrojnë aktivitetin e tyre pa asnjë përgjegjësi.

Kjo situatë është e papranueshme dhe alarmante. Konkurrenca e pandershme po shkatërron transportin e ligjshëm, po dëmton rëndë operatorët korrektë dhe po cenon interesin publik. Në këto kushte, vijimi i aktivitetit është i pamundur.

Përmes kësaj proteste kërkojmë:

• Ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit të paligjshëm;
• Zbatimin e ligjit dhe kontrolle reale në terren;
• Mbrojtjen e operatorëve të licencuar dhe të shërbimit publik të transportit.

Protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe ka për qëllim sensibilizimin urgjent të institucioneve dhe opinionit publik për një problem që po injorohet prej kohësh.