Eksperti ukrainas: Veprimet e Serbisë në Kosovë ngjasojnë me taktikat ruse
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Moska zyrtare në vazhdimësi ka provokuar në hapësirat ajrore të shteteve anëtare të NATO-s.
Në Poloni në disa raste janë parë dronë rusë, dhe e njëjta ka ndodhur në disa prej shteteve të tjera evropiane, gjithashtu pjesë të aleancës veri-atlantike.
Kryetari i Këshillit Drejtues në Qendrën për Studime dhe Siguri në Ukrainë, Vadim Chernysh, thotë për Tëvë1 se edhe Serbia po përdor metoda të ngjashme me Rusinë.
Si shembull ai merr tentimin e Serbisë për ta aneksuar veriun e Kosovës, në sulmin e 24 shtatorit 2024 në Banjskë të Zveçanit.
“Testim, testim gjatë gjithë kohës. Pra, Rusia ka dy qëllime. Të testojë udhëheqjen politike për të parë nëse është e gatshme të marrë vendime të shpejta dhe vendimtare, dhe strukturat ushtarake poashtu. Pra të shoh nëse mbrojtja e atyre vendeve është efektive apo jo, dhe kjo është pjesë e luftës hibride. Ata kombinojnë mjete ushtarake dhe jo-ushtarake, dhe njëkohësisht ushtrojnë presion mbi qeveritë dhe popullsinë e vendeve perëndimore. E di që rasti i Banjskës ishte një lloj veprimi i mbështetur nga shteti, por në të njëjtën kohë ata përdorën mohimin e besueshëm. Me këtë nënkuptoj parimet e mohimit të besueshëm të qeverisë serbe, pikërisht ashtu siç bëri Rusia shumë vite përpara pushtimit të saj të Ukrainës”, thotë ai.