Formacioni i vitit dominohet nga Drita, Zekirija Ramadani trajneri më i mirë

Kampioni Drita, siç ishte e pritshme, kishte numrin më të madh të lojtarëve në përbërje, pas suksesit të jashtëzakonshëm dhe fitimit të titullit kampion. Në formacionin klasik 4-4-2 gjetën vend edhe futbollistë nga Ballkani, Malisheva dhe Llapi.

Formacioni më i mirë i vitit:

Faton Maloku; Besnik Krasniqi, Egzon Bejtulai, Bajram Jashanica, Arlind Veliu; Arianit Hasani, Albert Dabiqaj, Etnik Brruti, Ëalid Hamidi; Sunday Adetunji dhe Arb Manaj.

Drita u shpall klubi më i mirë i vitit 2025 pas suksesit madhështor, duke fituar titullin kampion dhe duke siguruar gjithashtu play-offin e Ligës së Konferencës.

Përveç kësaj, “Intelektualët” fituan edhe çmimin “Klubi më fair play”, pasi ishin skuadra me më pak kartonë të verdhë gjatë sezonit.

Në anën tjetër, Zekirija Ramadani u shpall trajneri i vitit, për shkak të rolit vendimtar në drejtimin e klubit drejt këtij suksesi.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, u shpall futbollisti më i mirë i vitit 2025. Mbrojtësi kaloi një tjetër sezon të jashtëzakonshëm, duke ndihmuar Napolin ta fitojë titullin kampion, i dyti në tri vitet e fundit, ndërsa ishte pjesë edhe e formacionit më të mirë të Serie A.

FFK-ja, në ceremoninë “Laureatët e Vitit”, e shpalli Rrahmanin si më të mirin, por ai nuk ishte i pranishëm për shkak se do të luajë në finalen e Superkupës së Italisë me Napolin, kundër Bolognës.

Ndërkohë, sulmuesi i Ballkanit, Valentin Serebe, fitoi çmimin “Golashënuesi më i mirë i vitit”, i cili iu dorëzua nga ish-lojtari i “Xhebrailave”, Albion Rrahmani.