Arb Manaj, sulmuesi më i mirë i vitit në Kosovë

Sulmuesi i Dritës, Arb Manaj, është shpërblyer me çmimin e lojtarit më të mirë të elitës së futbollit kosovar, duke kurorëzuar një sezon të paharrueshëm me fanellën bardhekaltër.

Që nga momenti kur iu bashkua klubit nga Gjilani, Manaj ka qenë protagonist absolut, duke u shndërruar në golashënuesin kryesor të skuadrës dhe një nga faktorët vendimtarë të suksesit. Falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera dhe golave vendimtarë, Drita arriti të fitojë titullin kampion dhe të sigurojë një kualifikim historik në Ligën e Konferencës.

Forma e lartë e sulmuesit kosovar nuk është ndalur as në arenën evropiane. Manaj ishte sërish vendimtar për “Intelektualët”, duke kontribuar ndjeshëm në sigurimin e play-offit të Ligës së Konferencës, ku Drita do të përballet me Celje ose AZ Alkmaar, në një duel që pritet me shumë interes.

Çmimi për lojtarin më të mirë të elitës iu dorëzua Manajt në një ceremoni të veçantë, në praninë e presidentit të FFK-së, Agim Ademi, dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka, duke i dhënë edhe më shumë peshë këtij vlerësimi prestigjioz për karrierën e tij.