Ndahet nga jeta motra e George Clooneyt pas betejës me kancerin
Motra e aktorit të njohur dhe fituesit të çmimit “Oscar”, George Clooney, Adelia Ada Zeidler, është ndarë nga jeta më 19 dhjetor, pas një beteje të gjatë me kancerin. Ajo ishte 65 vjeçe.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Clooney për revistën People, ku e përshkroi motrën e tij si një figurë frymëzuese në jetën e tij. “Ada ishte heroina ime. Ajo e përballoi sëmundjen me guxim dhe humor. Nuk kam njohur kurrë një njeri kaq të fortë”, u shpreh aktori.
Ai theksoi gjithashtu se humbja e saj është e madhe edhe për bashkëshorten e tij, Amal Clooney, duke shtuar se Ada do t’u mungojë pafundësisht.
Zeidler ndërroi jetë e rrethuar nga familjarët në Edgewood, Kentucky, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet më 22 dhjetor.
E njohur për talentin e saj artistik, Ada Zeidler ka punuar për disa vite si mësuese arti në shkollën fillore Augusta Independent School. Sipas nekrologjisë, ajo kishte spikatur që herët edhe në aspektin akademik, duke u kualifikuar në shkollën e mesme si Studente e Meritës Kombëtare.
Edhe pse ka zgjedhur të qëndrojë larg vëmendjes publike, ajo ka pasur një marrëdhënie shumë të afërt me vëllanë e saj. Në një rast, Zeidler kishte treguar me humor se nuk e mbante numrin e telefonit të Clooneyt për arsye sigurie, duke preferuar komunikimin përmes e-mailit.
Adelia Ada Zeidler lë pas prindërit e saj, Nick dhe Nina Clooney, si dhe dy fëmijët, Nick Zeidler dhe Allison Zeidler Herolaga.