Italianët bëhen gati për Krishtlindje të bardha, ditët me diell i lënë radhën dëborës
Autoritetet italiane kanë paralajmëruar qytetarët e saj, për të ftohtin që do të përfshijë gadishullin Apenin.
Një sistem me presion të ulët po afrohet, duke sjellë shi dhe borë që do të vazhdojnë gjatë gjithë javës së Krishtlindjeve.
Mattia Gussoni, meteorolog në iLMeteo.it, konfirmon një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve të motit duke filluar nga mbrëmja e së dielës, me reshjet e para që priten në rajonet veriperëndimore dhe dy ishujt kryesorë.
Gjithçka do të varet nga mbërritja e rrymave të ftohta me origjinë polare, që zbresin nga Evropa Veriore.
Priten reshje të dendura dëbore: në Alpet Perëndimore, deri në 1 metër dëborë mund të bjerë deri në Krishtlindje mbi 1,400 metra. Moti më i keq parashikohet për javën e Krishtlindjeve, me shira të dendur në pjesën më të madhe të Italisë. Erërat gjithashtu do të shtohen ndjeshëm, me shpërthime të forta përgjatë bregdetit. Për Ditën e Krishtlindjeve, thotë Gussoni, "presim kushte moti që nuk janë parë prej disa vitesh gjatë këtij sezoni festash".
Rajonet qendrore-jugore dhe dy ishujt kryesorë do të duhet të përballen me stuhi, erëra të forta dhe reshje dëbore në Apenine, duke filluar nga 1200-1400 metra mbi nivelin e detit. Megjithatë, në Veri do të ketë më shumë kthjellime, veçanërisht në Lombardi dhe Triveneto; situata është e ndryshme në Emilia Romagna, Piemonte dhe Valle d'Aosta, të cilat do të mbeten nën ndikimin e reshjeve të përhapura, me mundësinë e reshjeve të dëborës deri në kodra. Një Krishtlindje e bardhë, pra, për vendpushimet kryesore të skive në Alpet perëndimore, me dëborë që mund të arrijë deri në qytetin e Cuneo-s./ ANSA.