VIDEO/ Barcelona ndërpret vrullin e Villarreal-it, e mbyll vitin +4 nga Reali
Barcelona vijoi formën e shkëlqyer duke regjistruar fitoren e shtatë radhazi në të gjitha kompeticionet, pas triumfit 2-0 në transfertë ndaj Villarrealit, një rezultat që i mban katalanasit në krye të LaLiga-s në prag të Krishtlindjes. Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick tregoi pjekuri dhe efikasitet në një ndeshje të hapur dhe dinamike, tipike për përballjet mes këtyre dy ekipeve.
Takimi nisi me ritëm të lartë, ku Villarreal-i pati rastin e parë me Nicolas Pépé, ndërsa më pas gabimet në mbrojtjen e Barcelonës i dhanë mundësi Ayoze Pérez për dy raste të shpejta. Megjithatë, ishte Barça që kaloi në avantazh, kur Raphinha u tregua i saktë nga pika e penalltisë, pas faulli-t të Santi Comesaña-s ndaj tij. Braziliani ishte pranë golit të dytë me një goditje nga distanca që u ndal nga traversa.
Pjesa e parë u mbyll me një moment kyç: Renato Veiga u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Lamine Yamal, duke e vështirësuar edhe më shumë misionin e “Nëndëtëses së Verdhë”.
Në pjesën e dytë, Barcelona kontrolloi më shumë lojën, edhe pse la hapësira pas shpine. Villarreal kërkoi penallti në dy raste, por pa sukses. Goli i dytë erdhi nga Lamine Yamal, i cili përfitoi nga një situatë kaotike në zonë dhe vulosi fitoren.
Me këtë sukses, Barcelona zgjat serinë e ndeshjeve me gola në 38 radhazi, statistika më e mirë që nga viti 2013. Villarreal, ndërkohë, vazhdon serinë negative në shtëpi ndaj Barçës dhe mbetet 11 pikë pas katalanasve në renditje.