Ishi-i i Interit: Alkool, depresion dhe tri tentativa vetëvrasjeje, por po e fitoj betejën time
Drita pas errësirës, rilindja pas ferrit. “Si jam? Po e fitoj betejën time”. Ish-lojtari i Interit, Fredy Guarín, kthehet pas në kohë dhe rrëfen jetën e tij mes depresionit, problemeve me alkoolin dhe tentativave për vetëvrasje. Ai ka tentuar t’i japë fund jetës tri herë: “Zoti më ka shpëtuar”.
“Fillova të pija gjatë muajve të fundit tek Interi. Isha keq për situatën time familjare, - ka treguar ish-mesfushori kolumbian për Corriere della Sera – po ndahesha nga gruaja, isha larg fëmijëve të mi. Kur u transferova në Kinë, situata ime u përkeqësua. Kur shkova në Brazil, shpërtheu Covid-i. Në atë moment më mungoi edhe ajo që ende më shpëtonte: futbolli. Mbeta pa asgjë, vetëm me veten time”.
Më pas erdhi thirrja për ndihmë: “Një ditë isha vetëm në shtëpi dhe kisha pirë. Po i telefonoja njerëzit, askush nuk përgjigjej. Po mendoja ta mbyllja gjithçka. Isha i lodhur nga gjithçka. Telefonova psikologen time dhe agjentin tim”.
Në atë moment nisi rrugëtimi i rehabilitimit në një fondacion, që e çoi drejt largimit nga alkooli. Ai u ribashkua me fëmijët: “Nuk më falën menjëherë, por me kalimin e kohës më kuptuan. Tani punoj në fondacion bashkë me psikologen time dhe dua ta vë përvojën time në dispozicion të njerëzve”.