'PD palë me interesin publik dhe qytetar'/ Spahia: Ndodhemi nën tiraninë e një bande hajdutësh, nesër të gjithë në protestë

Partia Demokratike do të mbajë ditën e nesërme një protestë kombëtare në Tiranë kundër vjedhjes dhe korrupsionit të qeverisë. Në prag të këtij tubimi, deputeti demokrat Bardh Spahia ka deklaruar se opozita po i përgjigjet një situate kritike, duke theksuar se protesta është bërë alternativa e vetme përballë një pushteti që e cilëson si “organizatë kriminale”.

Sipas deputetit Spahia, protesta vjen si reagim ndaj “grabitjes së madhe dhe të paprecedentë” të fondeve publike nga kryeministri Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, duke përmendur rastin e Belinda Ballukut.

Ai shtoi se praktikisht të gjithë ministrat e kabinetit aktual janë të përfshirë në afera madhore korruptive, duke e kthyer revoltën popullore në një domosdoshmëri.

“Revolta popullore është evidente tashmë në çdo cep të Shqipërisë,” u shpreh ai. Spahia theksoi se opozita ka ezauruar të gjitha mjetet institucionale. Ai përmendi foltoret në parlament, mocionet me debat dhe dëgjesat publike, të cilat, sipas tij, “kanë rënë në vesh të shurdhër”.

Më tej, ai akuzoi mazhorancën se e ka kthyer Parlamentin në “një mburojë të hajdutëve që sot qeverisin Shqipërinë”, duke i hequr opozitës të drejtën e fjalës dhe duke bllokuar çdo kërkesë për transparencë dhe llogaridhënie.

Një element kyç që ka çuar në këtë protestë, sipas deputetit, është kalimi nga akuzat politike tek faktet e pamohueshme. Ai evidentoi se tashmë opinioni publik po përballet me dokumente, përgjime dhe skandale konkrete, siç janë abuzimet prej 50 milionë eurosh në tunelin e Llogarasë, afera e AKSHI-t, e të tjera. Ky ndryshim, sipas tij, e ka transformuar plotësisht perceptimin publik.

Spahia vijoi duke deklaruar se qytetarët ndodhen “nën tiraninë e një bande hajdutësh” dhe “një organizate të mirëfilltë kriminale”. Në këto kushte, dalja në shesh mbetet e vetmja rrugë që opozita të bëhet palë me interesin publik dhe të shërbejë si mburojë për qytetarët përballë kapjes së shtetit.

Spahia:

Shiko, në fakt opozita shqiptare, Partia Demokratike po i përgjigjet një situate shumë dinamike, zhvillimeve të fundit në politikën shqiptare të cilat kanë nxjerrë në pah grabitjen e madhe, grabitjen e paprecedent, vjedhjen e fondeve publike, parave të shqiptarëve nga ana e Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë siç është rasti i Belinda Ballukut, por jo vetëm, pasi të gjithë ministrat e kësaj qeverie praktikisht janë të përfshirë në afera madhore korruptive. Në këtë kontekst, mendoj që opozita, ashtu siç i takon, ka marrë rolin e drejtimit dhe udhëheqjes së asaj revolte popullore që është evidente tashmë në çdo cep të Shqipërisë.

E kemi bërë në disa plane, padyshim. Ju e përmendët me të drejtë organizimin e foltoreve e cila u la jo pa qëllim dhe analiza patjetër, jo pa qëllim mbas daljes së raportit përfundimtar të OSBE ODIHR-it i cili fliste qartë dhe konfirmonte të gjitha akuzat e dokumentuara me zë dhe figurë nga opozita shqiptare dhe Partia Demokratike. Në të njëjtën kohë ne kemi vazhduar edhe me opozitën e fortë në parlamentin shqiptar, i cili është kthyer tashmë siç shihet qartë, në një mburojë të hajdutëve që sot qeverisin Shqipërinë.

Me veprimet e tij, me luftën kundra opozitës shqiptare, me heqjen e të drejtës së fjalës si një e drejtë themelore kushtetuese, bazike në për çdo demokraci. Kemi shtuar presionin ndaj kësaj mazhorance e cila mbasi ka kapur çdo institucion, mundohet që nëpërmjet veprimeve arbitrare, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe rregulloren e kuvendit, të heq të drejtën e opozitës për të kërkuar transparencë, për të kërkuar...

Kemi kërkuar mocione me debat, kemi kërkuar dëgjesa publike. Të gjitha për fat të keq kanë rënë në vesh të shurdhër. Kemi paraqitur me dhjetëra amendamente në favor të interesit publik dhe qytetar në mënyrë që të përmirësonim kuadrin ligjor, por për fat të keq prapë po them të gjitha kanë rënë në vesh të shurdhër. Funksioni normal i parlamentit është orientuar tashmë vetëm në të bërit mburojë e aferave korruptive të qeverisjes, të ekzekutivit, në kohë që duhej të ishte komplet e kundërta. Parlamenti do të duhej të kryejë funksionin e tij kushtetues si mbikëqyrës, kontrollues i ekzekutivit dhe i pushteteve të tjera në mënyrë që të garantohej interesi publik.

Në këto kushte opozitës nuk i mbeti gjë tjetër përveçse ta ushtrojë të drejtën e vet për revoltë dhe për protestë në të gjitha hapësirat e veta dhe skenat publike, përfshirë këtu parlamentin, dhe së fundmi edhe në rrugë, si e vetmja alternativë për t'u bërë palë me interesin publik dhe qytetar, për t'u bërë mburojë e interesit publik e qytetar. Në këtë kontekst ishte dhe thirrja e protestës së nesërme në orën 18.

Ky nuk është më në kuadrin e akuzave. Është evidente që janë fakte të pamohueshme. Ka një perceptim mbarëqytetar, mbarëpopullor që ndodhemi nën tiraninë e një bande hajdutësh.