Si duhet të sillen protestuesit nesër?!?
Nga Bislim Ahmetaj/
Ja t'ju sjell unë një manual të sjelljeve dhe reagimeve tuaja, kur ju jeni gjetur në situata të ngjashme.
Njëlloj siç silleni me komshiun kur jeni zënë për një hu gardhi, për një vi uji, për një vend parkingu, apo edhe pse po më sheh shtrembër.
Siç silleni me hajdutin që e keni zënë në shpi,duke ju vjedhur lekët e bukës, që nëna i kishte "fshehur" në atë vazon sipër televizorit .
Ashtu siç silleni me punëdhënësin tuaj, kur nuk jua jep rrogën, apo jua vonon atë pa kufi, kur ju heq nga puna se ja do qejfi, se ju nuk i plotësoni tekat apo epshet e tij kafshërore.
Siç silleni me një njeri që ju fyen, që ju shanë me gjuhë rruge, me ç'ju mban pragu i shtëpisë nga mëngjesi në darkë, nëpër portale private dhe media kombëtare të cilat i përdor si ti kishte të vetat.
Silluni siç do të donit të silleshit me atë që ju burgosi babain, se nuk kishte lekë për të paguar faturën e dritave.
Silluni siç do të donit të silleshit me atë që ju prishi shtëpinë, dyqanin apo ju grabiti pronën.
Silluni siç do të donit të silleshit me të fortin e lagjes që jua përdhunoj motrën dhe më pas jua çoj prostitutë në trotuaret e Evropës, jua vrau vëllain apo të afërmin tuaj në derë të shtëpisë. Dhe ju nuk guxuat ta denonconi në polici, sepse ai ishte shoku i ngushtë i shefit të policisë.
Silluni siç do të donit të silleshit me gjyqtarët, prokurorët, hetuesit, taksidarët, policët bashkiakë, inspektorët e IKMD, zyrtarët e kadastrës, të legalizimeve etj që kanë tridhjetë e kusur vite që ju sorollatin nga një shkallë gjykate te tjetra, nga një zyrë tek tjetra, për pronën tuaj të trashëguar nga të parët, të cilët u tretën burgjeve dhe internimeve.
Silluni pak a shumë siç do të donit të silleshit me një pushtues të lig e bizar që s'ka lanë gjë pa ba ndër ju.
Dhe e fundit godina e Kryeministrisë nuk është as kishë, as xhami, as teqe dhe as sinagogë që ju o protestues, të druheni se po ta cenoni apo zotëroni atë do t'ju ndëshkoj Zoti.
Ajo është thjeshtë një godinë e zaptuar në të cilën është ngujuar "djalli" ose "mbreti lakuriq".
Kaq, besoj ju mjafton.
Në mos ju mjaftoftë do t'ju teproj.