PD Vlorë: Të rinjtë të bashkohen në protestën e 22 dhjetorit kundër keqqeverisjes

Partia Demokratike e Vlorës ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka ngritur shqetësime të forta mbi situatën politike, ekonomike dhe sociale në vend, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, shpopullim dhe mungesë politikash në mbështetje të të rinjve.

Rezembrik Serjani, Sekretar për Marrëdhënien me Publikun në PD dega Vlorë, gjatë fjalës së tij i ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht të rinjve vlonjatë, që të marrin pjesë në protestën e thirrur më 22 dhjetor.

Deklarata e plotë për media: 

Të nderuar qytetarë, vlonjatë e vlonjate, të rinj e të reja,

Jam sot këtu si një i ri, si qytetar i Vlorës, si vlonjat, si shqiptar, si demokrat.

Sot Shqipëria ndodhet në ditët e saj më të zeza, e mbërthyer nga korrupsioni, keqqeverisja dhe politikat antishqiptare të sektit Rama.

Për 12 vite me radhë, nën sundimin e një sekti, Shqipërisë i është vrarë, grabitur dhe rrënuar çdo mundësi, veçanërisht për të rinjtë, të cilët sot më shumë se kurrë janë brezi më i kërcënuar nga politikat toksike të Edi Ramës, armikut më të madh të rinisë shqiptare dhe të rinisë vlonjate.

Asnjë politikë nxitëse për të rinjtë, përveç largimit dhe shpopullimit, të cilat kanë qenë axhenda e vetme e tij gjatë këtyre viteve.

Të rinjtë vlonjatë, fëmijët e familjeve vlonjate, si pasojë e politikave antishqiptare të Edi Ramës dhe korrupsionit të tij të frikshëm e vrastar, kanë marrë rrugët e botës, duke e shpopulluar Vlorën e bekuar nga Zoti.

Nga ana tjetër, korrupsioni i këtij sekti ka rrënuar ekonominë e Vlorës dhe të Shqipërisë. Sot në Vlorë, Edi Rama ka monumentet e tij më të mëdha të korrupsionit dhe antishqiptarizmit. Ai e urren Vlorën dhe vlonjatët, ashtu siç urren çdo shqiptar, ashtu siç urren Shqipërinë.

Tuneli i Llogarasë, vepra më e frikshme korruptive e gjithë këtyre viteve, ku me një të rënë të lapsit, ai dhe lubitë e tij të korrupsionit kanë vjedhur 50 milionë euro. TEC-et lundruese, një tjetër vepër ku çdo ditë digjen paratë e shqiptarëve. Dhe duke vazhduar me Portin e Vlorës, ku sot Vlorën e kanë lënë pa port, pa ekonomi, pa lëvizje, pa mallra, pa oksigjen; dhe akoma më tej, monumenti i tij i antishqiptarizmit është Sheshi i Flamurit, të cilin Edi Rama me politikat e tij antikombëtare e ka denatyruar, tjetërsuar e nëpërkëmbur.

Prandaj jam sot këtu si një i ri vlonjat, si qytetar i Vlorës, si student, si fëmijë i dy prindërve punëtorë, si demokrat, për t’ju bërë një thirrje nga zemra: t’i bashkohemi protestës së nesërme, më 22 dhjetor, si e vetmja mënyrë për t’i treguar keqqeverisësit Rama, kryekorrupsionit Rama, se janë të rinjtë, ashtu si në vitin 1990, ata që do ta shporrin dhe do ta flakin në koshin e turpit të historisë, sepse autokracitë përmbysen me protestë, qëndresë, rezistencë dhe besim.