Mediu thirrje për revoltë qytetare më 22 Dhjetor: Zgjedhje farsë, shteti i kapur nga krimi dhe korrupsioni

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e opozitës më 22 dhjetor, duke theksuar se beteja për ndryshimin e realitetit politik nuk i përket vetëm partive opozitare, por çdo qytetari që kundërshton krimin, korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

Mediu iu referua raporteve ndërkombëtare, ku OSBE/ODHIR ka denoncuar zgjedhjet si farsë, me shtetin dhe Partinë Socialiste të shkrirë në një, duke përdorur fondet publike për blerje votash dhe duke lejuar ndikimin e krimit të organizuar në procesin zgjedhor. Ai theksoi se arrestimi dhe procedimi i liderëve të opozitës para zgjedhjeve ishte një veprim politik në shërbim të pushtetit.

Sipas Mediut, shqetësime serioze janë ngritur edhe nga IDU, Partitë Popullore Europiane dhe Kongresi Amerikan, të cilat kanë paralajmëruar se në Shqipëri po cënohen pluralizmi, zgjedhjet e lira dhe shteti i së drejtës, ndërsa krimi dhe korrupsioni përbëjnë rrezik për vendin dhe rajonin.

Në këtë kontekst, Mediu theksoi se vetëm një bashkim i gjerë i opozitës dhe qytetarëve në një lëvizje të fuqishme masive mund t’i japë fund qeverisjes së Edi Ramës që po zbraz vendin dhe po rrezikon të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit.

Postimi i plotë në FB:

Protesta e Opozitës në 22 Dhjetor 
Në mbledhjen e kryesisë, Kryetari i Partisë Republikane theksoi se është koha që jo vetëm Partia Demokratike, Partia Republikane, por gjithë opozita pa dallim, çdo qytetar, të jetë prezent dhe të luftojë për të ndryshuar realitetin e dominuar nga krimi, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria. 
Raporti i OSBE/ODHIR denoncoi se zgjedhjet ishin një farsë, ku shteti dhe Partia Socialiste u bënë një, duke vjedhur paratë e taksapaguesve për të blerë vota, faljen e gjobave dhe bonusin për pensionistët në shkëmbim të votës. ODHIR deklaroi se krimi i organizuar, i lidhur me pushtetin, bleu vota, intimidoi votuesit dhe vendosi në parlament përfaqësuesit e tij. Po ashtu, deklaroi qartë se liderët e opozitës u proceduan dhe arrestuan përpara zgjedhjeve politikisht, në shërbim të pushtetit.
IDU (Unioni Ndërkombëtar për Demokraci), ku bën pjesë Partia Republikane Amerikane e Presidentit Trump, Partitë Popullore Europiane theksuan se zgjedhjet në Shqipëri u manipuluan nga Partia Socialiste, e lidhur me korrupsionin dhe krimin, dhe Shqipëria duhet të gjejë mekanizmat për një qeveri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kongresi Amerikan, në seancën e Komisionit për Europën, deklaroi se në Shqipëri po shkatërrohet pluralizmi dhe zgjedhjet e lira; krimi dhe korrupsioni janë një kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e më gjerë. Ata kërkuan një drejtësi që i shërben qytetarëve dhe nuk përdoret si armë politike e pushtetit.
Të gjitha këto kanë vlerë kur opozita dhe shqiptarët të bashkohen në një lëvizje të fuqishme masive kundër qeverisë së Edi Ramës, e cila po zbraz Shqipërinë dhe po shkatërron të ardhmen e Shqipërisë dhe Kombit, duke e kthyer atë në momentet më të errëta të historisë shqiptare.