Kakavijë/ Fluks në kufi, emigrantët kthehen për festat e fundvitit

Ka nisur kthimi i emigrantëve shqiptarë nga Greqia drejt vendlindjes për të festuar fundvitin pranë familjarëve. Gjatë fundjavës, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës është shënuar një rritje e ndjeshme e hyrjeve në territorin shqiptar, si të këmbësorëve ashtu edhe të automjeteve.

Si pasojë e fluksit të lartë, në anën greke mbrëmjen e së shtunës janë krijuar radhë të gjata automjetesh në sportelet e kontrollit të dokumenteve. Lëvizje të shtuara janë regjistruar edhe në dalje nga territori shqiptar.

Autoritetet kufitare bëjnë me dije se janë marrë masa për menaxhimin e situatës dhe shmangien e pritjeve të gjata. Policia Kufitare në Kakavijë ka shtuar kapacitetet e përpunimit, ndërsa është rritur prania e efektivëve për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin e veprimtarive kriminale përgjatë vijës kufitare me Greqinë.

Paralelisht, Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në aksin kombëtar Gjirokastër–Kakavijë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt gjatë këtyre ditëve me fluks të shtuar.