400 mln euro për propagandë dhe klientelë, Teliti: PS i tha ‘Jo’ 29 amendamenteve në favor të Tiranës
Në një kohë kur qytetarët e Tiranës përballen me sfida të shumta, mazhoranca në Këshillin Bashkiak ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2026, duke bërë një hap të rëndë që ka përjashtuar çdo mundësi për përmirësim të kushteve të jetesës së qytetarëve.
Në një deklaratë për mediat, Dorian Teliti, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, denoncoi miratimin e projektbuxhetit 2026 nga mazhoranca e majtë, duke e cilësuar si një akt arrogant dhe antidemokratik. Ai theksoi se mazhoranca refuzoi amendamentet e opozitës që synonin uljen e taksave dhe mbështetje për qytetarët dhe bizneset.
Teliti e quajti këtë buxhet një instrument të klientelizmit dhe propagandës, që nuk i ofron zgjidhje sfidave reale të qytetit. Ai i bëri thirrje qytetarëve të mblidhen në protestën e 22 dhjetorit, për të kërkuar një qeverisje që punon për njerëzit, jo për interesat e ngushta të pushtetit.
Deklarata:
Të nderuar qytetarë të Tiranës,
Miratimi i projektbuxhetit 2026 të Bashkisë Tiranë nga mazhoranca e majtë në Këshillin Bashkiak ishte një akt i pastër arrogance dhe një shkelje flagrante e parimeve themelore të qeverisjes dhe demokracisë vendore. Gjatë seancës së votimit, në kundërshtim të hapur me rregulloren, mazhoranca përjashtoi propozimet e opozitës dhe shpërfilli interesin publik.
Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike kishte depozituar paraprakisht 29 amendamente, të hartuara mbi bazën e shqetësimeve reale të qytetarëve, të të rinjve, familjeve, shtresave në nevojë dhe sipërmarrjes së kryeqytetit. Këto amendamente synonin korrigjimin e një projektbuxheti klientelist, të padrejtë dhe të shkëputur nga realiteti social e ekonomik i Tiranës.
Mazhoranca i tha JO qytetarëve
Duke refuzuar t’i fusë në votim 29 amendamentet tona, mazhoranca socialiste i tha JO:
• Uljen me 30% të taksës së pronës
• Përgjysmimin e tarifës së pastrimit për familjet dhe bizneset
• Përgjysmimin e tarifave të parkimit
• Uljen e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, masë që do të ulte çmimin e banesave për çiftet e reja.
Mazhoranca i tha JO:
• Çerdheve dhe kopshteve falas
• Subvencionimit të ushqimit për nxënësit
• Kompensimit të çmimit të rritur të ujit, derisa Tirana të ketë furnizim 24 orë
• Subvencioneve direkte për fermerët e Tiranës
Amendamentet tona parashikonin investime të domosdoshme në arsim, siguri dhe të ardhmen e të rinjve, duke përfshirë ndërtimin e institucioneve të reja arsimore, rritjen e sigurisë pranë tyre dhe krijimin e kapaciteteve publike për strehimin studentor. Refuzimi i këtyre investimeve tregon se për mazhorancën prioritet nuk është e ardhmja e qytetit, por mbajtja e pushtetit me çdo kusht.
Mazhoranca i tha PO abuzimit me fondet
Amendamentet tona synonin:
• Ndalimin e pagesave për shërbime që nuk ekzistojnë, duke filluar nga inceneratori inekzistent
• Uljen e shpenzimeve operative dhe administrative
• Eliminimin e fondeve për marketing dhe evente propagandistike
• Alokimin e këtyre fondeve drejt shërbimeve sociale, qendrave komunitare dhe mbështetjes për të moshuarit
Të gjitha këto u rrëzuan pa asnjë argument.
Të dashur qytetarë,
Buxheti prej mbi 400 milionë euro për vitin 2026, i miratuar vetëm me votat e mazhorancës dhe i kundërshtuar fort nga opozita, nuk i jep zgjidhje asnjë prej sfidave të vërteta të kryeqytetit. Është një buxhet për propagandë dhe klientelë; një buxhet që mban gjallë modelin e qeverisjes pa transparencë dhe pa llogaridhënie; një buxhet që rëndon qytetarët dhe bizneset.
Ky akt është një arsye më shumë për të reaguar ndaj arrogancës, përjashtimit social, vjedhjes dhe shpërdorimit të parasë publike.
Ditën e hënë, ora 18:00, ju ftojmë të gjithë të mblidhemi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të mbrojtur interesin publik dhe për të kërkuar një qeverisje që punon për njerëzit – jo për pushtetin dhe orekset e tij.