Mjegull e dendur në Rrugën e Kombit, Policia apel për kujdes të shtuar në segmentin Kalimash–Morinë

Prej orëve të fundit, prania e mjegullës së dendur në Rrugën e Kombit, konkretisht në segmentin Tuneli i Kalimashit–Morinë, ka reduktuar ndjeshëm shikueshmërinë, duke e bërë qarkullimin më të vështirë për drejtuesit e mjeteve.

Policia Rrugore u bën apel të gjithë shoferëve të tregojnë kujdes maksimal, të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, si dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë që ndodhen në terren.

Shërbimet e Njësisë për Sigurinë Rrugore, në bashkëpunim me Policinë Rrugore të DVP Kukës, janë të angazhuara në monitorimin e vazhdueshëm të qarkullimit dhe në garantimin e sigurisë rrugore, duke ofruar ndihmë për drejtuesit e automjeteve në rast nevoje.

Autoritetet këshillojnë shmangien e manovrave të rrezikshme dhe ruajtjen e distancës së sigurisë mes mjeteve. Për çdo emergjencë ose nevojë për ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë në numrin pa pagesë 129.