Aulon Kalaja denoncon gjendjen e rrugëve në Fushë-Krujë: Lagje të tëra të lëna në harresë

Problemet me infrastrukturën rrugore në Fushë-Krujë vijojnë të mbeten një shqetësim serioz për banorët dhe drejtuesit e automjeteve. DrejtuesI i Departamentit të Mbrojtjes së Familjes në PD,  Aulon Kalaja, ka ngritur sërish alarmin për gjendjen e disa prej rrugëve kryesore të qytetit, të cilat sipas tij janë në kushte të rënda amortizimi.

Gjatë një prononcimi nga terreni, Kalaja u shpreh se ndodhej në zonën e Kodrës së Çelëve, një segment rrugor që dikur ka qenë i asfaltuar, por që sot është i degraduar dhe i mbushur me gropa, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin.

Ai theksoi se ndërsa rruga që të çon drejt burgut të Fushë-Krujës është rikonstruktuar, pjesa tjetër që shërben për lagje të rëndësishme të qytetit është lënë pas dore. Sipas Kalasë, kjo tregon mungesë prioritetesh dhe investimesh të balancuara në infrastrukturën lokale.

Kalaja kujtoi se problematika është ngritur edhe gjatë fushatës elektorale, por pavarësisht premtimeve, situata mbetet e pandryshuar. Një tjetër shqetësim, sipas tij, është kryqëzimi pranë burgut të Fushë-Krujës, ku njëra degë e rrugës është e rregulluar, ndërsa tjetra vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme.

Denoncimi i Kalasë rikthen vëmendjen te standardet e infrastrukturës urbane dhe kontrasti mes premtimeve për zhvillim dhe realitetit të përditshëm të qytetarëve, të cilët përballen me rrugë të shkatërruara dhe mungesë investimesh bazë.