A ishte përgjigjja e Vladimir Putinit ndaj pyetjes time një ‘degë ulliri’?

Nga Steve Rosenberg

Korrespondent i BBC për Rusinë

Gazetarët u bëjnë pyetje liderëve botërorë gjatë gjithë kohës.

Asgjë e madhe. Apo jo?

Por si është t’i bësh një pyetje Vladimir Putinit – presidentit që urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, udhëheqësit, vendi i të cilit u akuzua këtë javë nga kreu i MI6 për “eksportimin e kaosit”?

Dhe imagjino ta bësh atë pyetje drejtpërdrejt në televizion,ndërsa miliona rusë po të shikojnë.

Është një përgjegjësi e madhe. Nuk mund të gabosh.

“Pyetja ime ka të bëjë me të ardhmen e Rusisë. Çfarë lloj të ardhmeje po planifikoni për vendin dhe popullin tuaj?” – e pyes Presidentin Putin.

“A do të jetë e ardhmja si e tashmja, ku çdo kundërshtim publik ndaj vijës zyrtare dënohet me ligj? A do të përshpejtohet gjuetia e armiqve brenda dhe jashtë vendit? A do të bëhen edhe më të shpeshta ndërprerjet e internetit? A do të ketë ‘operacione të reja speciale ushtarake’?”

Ndërsa po flas, Vladimir Putin po mban shënime. Pastaj përgjigjet.

Ai mbron ligjin represiv rus për “agjentët e huaj”. Qindra rusë kritikë ndaj autoriteteve janë shpallur “agjentë të huaj”.

“Nuk e kemi shpikur ne,” më thotë Putin.

“Ky ligj për [agjentët e huaj] u miratua në një sërë vendesh perëndimore, përfshirë Amerikën në vitet 1930. Dhe të gjitha këto ligje, përfshirë atë amerikan, janë shumë më të ashpra…”

Në realitet, ligji rus është drakonian. Ai i përjashton “agjentët e huaj” nga shumë aspekte të jetës publike, përfshirë mësimdhënien, shërbimin civil, zgjedhjet dhe aktivitetet publike. Vendos kufizime financiare dhe mbi pronën. Ndjekja penale mund të pasojë edhe pas një gjobe të vetme administrative.

Megjithatë, nuk jam në gjendje t’ia vë këtë në dukje Presidentit Putin. Mikrofoni më merret sapo përfundoj pyetjen.

Papritur moderatori ndërhyn për të ndryshuar temën.

“Ka edhe një pyetje tjetër këtu: ‘Çfarë do të ndodhë me BBC-në? Ajo po përballet me një padi shumë-miliardëshe nga presidenti amerikan?’”, thotë prezantuesi Pavel Zarubin.

“Mendoj se Presidenti Trump ka të drejtë,” konfirmon Presidenti Putin.

Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë në një mendje… për BBC-në.

Putin rikthehet te pyetja ime.

“A do të ketë operacione të reja speciale ushtarake? Nuk do të ketë, nëse na trajtoni me respekt dhe respektoni interesat tona, ashtu siç kemi tentuar gjithmonë të bëjmë me ju. Përveç rasteve kur na mashtroni, siç bëtë me zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.”

E dukshme për të gjithë është ajo që e shtyn Vladimir Putinin – një mllef i thellë ndaj Perëndimit.

Ai argumenton se, për vite me radhë, liderët perëndimorë e kanë shpërfillur, mashtruar dhe gënjyer Rusinë – dhe se vazhdojnë të gënjejnë duke pretenduar se Moska synon të sulmojë Europën. “Çfarë marrëzie është kjo?” – deklaron udhëheqësi i Kremlinit.

Por shumë liderë europianë thjesht nuk i besojnë Moskës.

Para pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës, zyrtarët rusë mohuan se kishin plane për një sulm masiv.

Kohët e fundit, Rusia është akuzuar se ka shkelur hapësirën ajrore europiane me avionë luftarakë dhe dronë, si edhe se ka kryer sulme kibernetike dhe akte sabotimi.

Por, teksa përfundoi përgjigjen ndaj pyetjes sime, a ishte kjo një degë ulliri për Europën nga presidenti rus?

“Ne jemi gati të ndalim menjëherë armiqësitë, me kusht që siguria afatmesme dhe afatgjatë e Rusisë të garantohet, dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju.”

Megjithatë, nëse Moska vazhdon ta lidhë sigurinë e saj afatgjatë me kërkesat maksimaliste ndaj Ukrainës, liderët europianë do të mbeten skeptikë.