Putini zotohet: S’do të ketë më luftëra nëse Perëndimi e trajton Rusinë me respekt

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se nuk do të ketë më luftëra pas Ukrainës, nëse Rusia trajtohet me respekt – dhe i ka hedhur poshtë pretendimet se Moska po planifikon të sulmojë vendet evropiane si “marrëzi”.

Në një intervistë televizive që zgjati pothuajse katër orë e gjysmë, ai u pyet nga Steve Rosenberg i BBC-së nëse do të kishte “operacione të reja ushtarake speciale” – termi i Putinit për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

“Nuk do të ketë operacione nëse na trajtoni me respekt, nëse respektoni interesat tona ashtu siç ne jemi përpjekur gjithmonë të respektojmë tuajat”, pohoi ai.

Më parë këtë muaj, Putin tha se Rusia nuk po planifikonte të shkonte në luftë me Evropën, por ishte gati “pikërisht tani” nëse evropianët donin.