VIDEO/ Mori 150 mijë euro tetë afërmit e saj, ‘kushërira mashtruese’ përballet me ‘Piranjat’
Pas dyerve të mbyllura të familjeve dhe rrethit të ngushtë, ku mendohet se askush nuk mundet të të dëmtojë, ndodhin edhe raste të rënda mashtrimesh. I tillë është edhe rasti i një familjeje nga Erseka, që ka rënë pre e një kurthi nga një person i afërt.
“Xhilda është kushërirë e mamit tim, e kemi njohur në një festë familjare, ku ajo më ofron një vend pune, tek puna ku ajo punonte. Jam futur për të punuar kamarierë atje dhe fakti që unë kisha tre vite në Tiranë dhe nuk kisha asnjë kontakt me fisin, e mora si të mirëqenë që më në fund mua dikush po më mbështet dhe nuk po më lë vetëm. Më ofroi ndihmë për të shkuar në shtëpinë e saj dhe kam pranuar që të mos jetoja me qira”, shprehet Vitorela, vajza 24-vjeçare për “Piranjat”.
Por më pas, kushërira i ofroi familjes së Vitorelës një mundësi për të blerë një shtëpi në Tiranë në shumën 70 mijë euro. 24-vjeçarja tregon se me shumë sakrifica ajo dhe familja e saj arritën të siguronin 30 mijë euro për të hyrë në shtëpinë e re dhe pasi të merrnin certifikatën e shtëpisë, do të paguanin edhe pjesën tjetër.
Mirëpo, ky ishte vetëm një karrem për ta përfshirë familjen në një skemë të madhe mashtrimi, që do t’i kushtonte një shumë goxha të majme.
“Dokumentet e shtëpisë ajo nuk po i jepte, thoshte të mbaroja unë punë me hapjen time të NIPT-it, sepse ajo kishte një biznes dhe faturat e bllokuara në NIPT dhe kërkonte lekë për të hapur NIPT-in dhe thamë po e ndihmojmë. Ajo kishte një zyrë konsulence”, tregon Vitorela.
Dhe për t’i ardhur në ndihmë të afërmes së tyre, ajo dhe familja e saj morën kredi dhe u zhytën në borxhe, të cilat në total shkuan në shifrën 150 mijë euro. Kushërira, Xhilda, kishte premtuar se do t’i shlyente ajo të gjitha detyrimet, por Vitorela thotë se prej shtatë muajsh nuk u ka dhënë asgjë.
Ndërkohë, në disa regjistrime audio, Xhilda nënkupton se pas gjithë kësaj fshihet një person tjetër me emrin Artan Bakiu, që sipas saj e detyron që të kërkojë shuma të tilla parash. Por nga mesazhet në rrjete sociale, duket se ky person shkruan po njësoj si Xhilda dhe ndaj familja e Vitorelës dyshon se mund të jetë po ajo që fshihet pas profilit të Artan Bakiut.
E gjendur përballë “Piranjave”, Xhilda tha se është në vështirësi financiare, sepse biznesi i saj ka falimentuar dhe se do të shlyejë sa më parë detyrimet ndaj të afërmve.