Piranjat/ Nga fshehja e aksidentit te ekspertizat që nuk përputhen: Çfarë ndodhi realisht në Durrës?
Një aksident i rëndë rrugor, i ndodhur mbrëmjen e 28 qershorit 2025 në zonën e Urës së Dajlanit në Durrës, që solli vdekjen e peshkatarit 55-vjeçar Arben Byku, nuk u publikua asnjëherë në media dhe nuk u regjistrua me asnjë kronikë apo njoftim zyrtar për publikun.
Byku u përplas nga një automjet tip Range Rover, i drejtuar nga 35-vjeçari Enio Likmeta, dhe u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku qëndroi për rreth tre javë pa u identifikuar dhe pa praninë e familjarëve, të cilët ndërkohë e kërkonin si person të humbur.
Pas vdekjes, trupi i tij u dërgua në morgun e Tiranës si person i paidentifikuar, ku qëndroi për javë të tëra, derisa u gjet rastësisht nga familjarët, rreth një muaj pas zhdukjes.
Familjarët deklarojnë se gjatë gjithë kësaj kohe janë drejtuar vazhdimisht në Komisariatin e Policisë së Plazhit, Durrës, në Komisariatin e Durrësit dhe në Spitalin e Durrësit, ku janë siguruar nga oficeri i komisariatit se nuk rezultonte asnjë informacion për Arben Bykun dhe se nuk kishte asnjë aksident të tillë.
Ndërkohë, OPGJ Arjan Qesja deklaron se identifikimi do të kishte qenë i menjëhershëm nëse stacioni i Policisë së Plazhit do të kishte njoftuar për zhdukjen e 55-vjeçarit, duke theksuar mungesën e koordinimit mes institucioneve.
Hetimi ka nxjerrë në pah tre akte ekspertize me përfundime diametralisht të kundërta për shpejtësinë e mjetit në momentin e aksidentit.
Ekspertiza e parë flet për rreth 44 km/h.
Ekspertiza e dytë, e firmosur nga dy ekspertë, e konsideron shpejtësinë nën 50 km/h, duke ia atribuar përgjegjësinë kryesisht këmbësorit.
Ndërsa ekspertiza e tretë, e kryer nga eksperti Evald Jaho, përllogarit shpejtësinë rreth 73–75 km/h, dyfish mbi limitin e lejuar prej 40 km/h, dhe konkludon se aksidenti do të ishte shmangur nëse mjeti do të qarkullonte me shpejtësinë e lejuar.
Sipas këtij akti, drejtuesi i mjetit kishte mundësi reale frenimi dhe shmangie, por nuk ka reaguar.
Megjithëse Enio Likmeta ndodhet zyrtarisht në arrest shtëpie, verifikimet në terren dhe dëshmitë e punonjësve të lokalit në pronësi të familjes së tij tregojnë se ai lëviz lirshëm, jo vetëm rreth banesës, por edhe për të kryer punë dhe furnizime, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi zbatimin e masës së sigurisë.
Çështja ndodhet ende në hetim, ndërsa prokuroria pritet të vendosë për dërgimin e saj në gjykatë, pushimin ose procedimin penal të drejtuesit të mjetit.
Ndërkohë, mbeten pa përgjigje disa pyetje thelbësore:
Pse aksidenti nuk u bë publik?
Pse trupi i viktimës mbeti i fshehur dhe i paidentifikuar për javë?
Pse institucionet nuk u koordinuan?
Pse ekzistojnë ekspertiza kaq të kundërta për të njëjtën ngjarje dhe pse një person në arrest shtëpie vijon të lëvizë lirshëm?