Logu zbulon tre shkeljet e rënda të mazhorancës në mbledhjen për imunitetin e Ballukut

Juristi Marash Logu, në një intervistë për Syri TV, ka denoncuar tre shkelje kryesore që, sipas tij, kanë shoqëruar mbledhjen e mazhorancës në Këshillin për Rregullore, Mandate dhe Imunitetin.

Logu theksoi se procesi është zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën, rregulloren e Kuvendit dhe Kodin e Procedurës Penale, duke përfshirë mungesën e transparencës, mohimin e provave për deputetët dhe përpjekjet për zvarritjen e qëllimshme të vendimmarrjes.

Marash Logu: Në fakt sot ka patur tre shkelje kryesore që, domethënë, kanë shoqëruar mbledhjen e mazhorancës në Këshillin për Rregullore, Mandate dhe Imunitetin. Fillimisht, ka qenë kërkesë krejtësisht e bazuar në ligj, në rregulloren e parlamentit dhe në Kushtetutën që mbledhja të ishte e hapur, duke i mundësuar qoftë medias, qoftë publikut, por edhe deputetëve të tjerë që kishin bërë kërkesë apo kishin dëshirë të ishin të pranishëm, që të merrnin pjesë në atë mbledhje. Dhe kjo është një kërkesë, po themi, që në mënyrë të rëndomtë, kur janë shqyrtuar kërkesa të tilla, kushdo që ka pasur interes, pra, ka përfaqësuesit e medias, apo edhe deputetë të tjerë kanë marrë pjesë në këto mbledhje. Ju kujtoj këtu për shembull që në rastin e kërkesës për zotin Berisha, ka qenë një mbledhje e hapur dhe kushdo që ka pasur interes e ka ndjekur live atë mbledhje. Vetëm në rast se deputetët e komisionit apo të Këshillit për Rregulloren, Mandatin dhe Imunitetin marrin vendim që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe është një vendim që merret me shumicë të thjeshtë, duhet që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura për arsye specifike.

Në rastin konkret nuk kishte asnjë vendimmarrje të tillë, sepse ju e dini që Këshilli ka 10 anëtarë, pesë nga opozita dhe pesë nga mazhoranca, dhe duhet që të dyja palët të binin dakord, nuk ishte asnjë vendim të tillë që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura. Pra dhe kjo ishte shkelja e parë, sepse në mënyrë krejtësisht të pakuptimtë, po i mohohej transparenca qoftë medias, qoftë publikut, qoftë edhe deputetëve të tjerë që mund të ishin të interesuar për ta ndjekur atë mbledhje, atë seancë dhe për të kuptuar se mbi ç’bazë ishte paraqitur kërkesa e Prokurorisë së Posaçme pranë Kuvendit të Shqipërisë. Shkelja e dytë ka pasur të bëjë me faktin që në kundërshtim qoftë me Kodin e Procedurës Penale, qoftë me rregulloren e parlamentit, anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk ju ishin vënë në dispozicion provat që shoqëronin kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për t'i hequr imunitetin me qëllim që t'i kufizohej liria në formën e arrestit në shtëpi apo arrestit në burg, Belinda Balluku. Pra, ligji parashikon që në Kuvendin e Shqipërisë prokuroria duhet të sjellë një kërkesë, një relacion të arsyetuar dhe ta shoqërojë me prova mbi të cilën mbështetet kërkesa dhe relacioni.

Deputetëve ju është dhënë në dispozicion vetëm kërkesa dhe relacioni, por duke ju mohuar në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e parlamentit provat. Në fakt argumenti që ka pasur kryetari i Kuvendit të Shqipërisë ka qenë që ne na ka vendosur detyrim prokuroria që të ruajmë sekretin hetimor, duke nënkuptuar që nuk mund t'i vëmë në dispozicion provat që na kanë ardhur së bashku me kërkesën. Prokurorët e posaçëm sot, përfshirë dhe drejtuesin e prokurorisë, konfirmuan që për ne nuk ka asnjë problem që deputetët që janë anëtarë të Këshillit për Rregullore, Mandate dhe Imunitetin, të njihen me të gjitha provat, sigurisht duke pasur detyrimin për të ruajtur ata sekretin hetimor, pra për të mos i publikuar apo për të mos i shpërndarë këto të dhëna që ata do t'i mësonin për shkak të funksionit të tyre. Elementi i tretë ka pasur të bëjë sigurisht me një përpjekje të qartë të mazhorancës për ta zvarritur këtë proces. Në të gjitha rastet e mëparshme, qoftë në rastin e zotit Ahmetaj që ju përmendët gjatë kronikës tuaj apo në rastin, në rastin e zotit Berisha nuk është kërkuar shtyrje madje. Por në rastin e zotit Ahmetaj dhe në raste të tjera të mëparshme, maksimumi i afatit që Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli për Rregullore, Mandate dhe Imunitetin ju ka dhënë palëve, po themi, qoftë edhe përfaqësuesve avokatëve të deputetëve për të cilët kërkohej heqja e imunitetit, ka qenë 48 deri në 72 orë.

Pra maksimalisht deri në tre ditë, minimalisht të paktën 48 orë, duke ju dhënë atyre kështu mundësinë që të njihen me aktet, t'i shqyrtojnë dhe të kenë mundësinë të paraqesin qëndrimin e tyre. Kërkesa e grupit parlamentar të Partisë Demokratike apo deputetëve të opozitës në atë komision, ka qenë që minimalisht të kenë në dispozicion 48 orë, për shkak se edhe ata nuk ishin njohur me provat, për shkak të një vendimmarrje në kundërshtim me kushtetutën, ligjin dhe rregulloren që kishte marrë Niko Peleshi, për t'i mohuar qoftë edhe anëtarëve deputetëve të këtij këshilli për t'u njohur me gjithë materialin që kishte sjellë prokuroria. Sigurisht u pa një tendencë dhe një prirje e qartë e deputetëve të mazhorancës për ta zvarritur në këtë proces.