Benet Beci del nga SPAK pas 2 orësh, 'kyç' gojën para gazetarëve
Pas dy orës, kryebashkiaku i Shkodrës benet Beci është larguar nga ambientet e SPAK, ku ishte thirrur këtë të premte.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Beci është përballur me gazetarët, por ka “kyçur” gojën para tyre, duke mos bërë asnjë prononcim mbi arsyet e paraqitjes së tij në SPAK.
Kujtojmë që kryebashkiaku socialist është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Ndaj Becit u regjistrua procedim penal për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike, kryer në bashkëpunim më 23.10.2024.
Ndërkohë më 23 prill 2025, prokurori Dritan Prençi e mori të pandehur kryebashkiakun socialist.
Beci akuzohet për tenderin me vlerë 700 mijë euro të vitit 2019, me objekt zhvillimi strategjik i sektorit energjitik (projekt kërkimor).
Bashkë me Benet Becin, nën hetim për këtë tender janë marrë edhe disa zyrtarë të tjerë me rol në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave.