SYRI TV/ Premiera e ‘Halli hallit nuk i ngjan’ në Vlorë, një shfaqje plot humor dhe muzikë

Premiera “Halli hallit nuk i ngjan” hapi sezonin dimëror të Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, duke sjellë në skenë një shfaqje plot humor, muzikë dhe satirë me tematika aktuale, nën regjinë e Afrim Agalliut. Me një kast aktorësh dhe pjesëmarrje të këngëtarëve, valltarëve dhe numrave surprizë, shfaqja u kthye në një festë për publikun vlonjat.

Syri TV

“Halli hallit nuk i ngjan”, premiera e trupës së Varietesë së Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, është ngjitur në skenë, duke çelur njëkohësisht sezonin dimëror të teatrit të qytetit. Me një kast të zgjedhur aktorësh, që nga ata që kanë bërë histori e deri te më të rinjtë në teatër, të shoqëruar nga muzikë dhe kërcim, shfaqja vjen nën regjinë e Afrim Agalliut, “Mjeshtër i Madh”. Libreti është një bashkëpunim mes emrave të njohur Haxhi Rama, Afrim Agalliu dhe Genc Demiraj. Protagonistët e shfaqjes, parodistët Afrim Agalliu dhe Agron Hamo, kanë ndezur skenën që në nisje, duke krijuar një atmosferë plot humor. Me tematika aktuale, shfaqja përcolli mesazhe të forta përmes ironisë dhe satirës.

Aktorja me përvojë Matilda Avduli u shoqërua në interpretimet e saj nga aktorët e rinj Hoxha, Shtëmbari dhe Merkaj, duke krijuar një harmoni brezash në skenë.

Atmosferën në sallën e Teatrit “Petro Marko” e elektrizuan këngëtarët Rovena Ibrahimi, Ludmilla Baballëku dhe Viktor Tahiraj, si edhe të ftuar të tjerë me zërat e tyre.

Prestigjatori Edmond Murraj prezantoi disa numra shpejtësie, duke shtuar elementin e surprizës në shfaqje. Pjesë e premierës ishte edhe grupi i kërcimit modern, që i dha shfaqjes më shumë dinamizëm dhe ritëm.

Në mbyllje, drejtori i Teatrit, Artur Dhamo, e quajti shfaqjen një festë të bukur për artdashësin vlonjat. Edhe parodistët Hamo dhe Agalliu vlerësuan ngrohtësinë dhe mirëpritjen e spektatorëve në sallë.

Aktorja e vjetër e estradës, Lavdie Bisha, u shpreh se ndihet e respektuar nga aktorët e rinj, ndërsa Ermir Hoxha tregoi emocionet e tij nga loja aktoriale në skenën e Teatrit të Vlorës.

Premiera “Halli hallit nuk i ngjan”, me regji të Afrim Agalliut, skenografi të Drini Shehut dhe drejtim muzikor nga Artur Dhamo, do të shfaqet edhe përgjatë fundjavës në Teatrin e Vlorës.