SYRI TV/ Shqipëria 'Big Brother' i qeverisë, Rama firmos projektin 'Smart City'

Shqipëria do të shndërrohet në “Big Brother”, ndërsa qytetarët do të paguajnë 118.5 milionë euro për projektin “Smart City”, për të kapur ata që nuk hedhin plehrat në kosha apo nuk paguajnë taksat e makinave. Teksa nënshkroi marrëveshjen që i hap rrugë instalimit të kamerave në çdo cep të vendit, kryeministri Edi Rama tha se me këtë projekt do të kapë kriminelët, ndërsa “Smart City” do të parandalojë vrasjet në shkolla, për të cilat deri dje, sipas shefit të qeverisë, fajin e kishte TikTok-u.

Kryeministri Edi Rama ka vendosur ta shndërrojë Shqipërinë në një “Big Brother”, duke instaluar kamera inteligjente në çdo cep të vendit, çka ngre pikëpyetje të mëdha edhe për cenimin e privatësisë së qytetarëve. Teksa këtë të premte u nënshkrua në Tiranë marrëveshja e projektit prej 118.5 milionë dollarësh mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë arabe Presight AI, Edi Rama, në fjalën e tij, e justifikoi projektin si një nevojë për të luftuar shkelësit e ligjit.

Ndërsa projekti i satelitëve, që do të monitoronin territorin dhe do të ofronin të dhëna reale për qytetarët, dështoi, kryeministri shprehet se “Smart City” është projekti që do të ofrojë të dhëna në kohë reale, nga lufta kundër krimit te identifikimi i qytetarëve që nuk hedhin mbetjet urbane në kosha.

Në prezantimin e këtij projekti, Edi Rama ka gjetur edhe një justifikim të ri për kriminalitetin në shkolla. Teksa deri një vit më parë fajësonte rrjetin social TikTok, duke vendosur mbylljen e tij, sipas kryeministrit, sot krimet mes adoleshentëve në shkolla ndodhin për shkak të mungesës së kamerave.

Gjatë fjalës së tij, Edi Rama tha se projekti “Smart City” do të përfshijë instalimin e kamerave edhe brenda klasave në shkolla, në ambiente publike, rrugë dhe institucione të ndryshme. Për këtë projekt, Rama falënderoi qeverinë arabe, e cila, sipas tij, ia ofroi Shqipërisë këtë mundësi, ndërsa taksapaguesit shqiptarë do të jenë ata që do të paguajnë rreth 120 milionë euro për “Smart City”-n.