Lëvizja BESA – Kumanovë: E dënojmë shkarkimin e drejtorit shqiptar të Spitalit të Kumanovës

“Lëvizja Besa – Kumanovë shpreh zhgënjimin e madh nga vendimi i Qeverisë dhe ministrit të Shëndetësisë për emërimin e drejtorit të ri të spitalit të qytetit të Kumanovës. Ky institucion një kohë të gjatë udhëhiqej nga kuadro shqiptare dhe ka qenë ndër institucionet e rralla të rëndësishme që udhëhiqeshin nga shqiptarët. Në të vërtetë, zhgënjimin e tyre në lidhje me këtë vendim skandaloz sot e shprehin edhe të punësuarit shqiptarë në spitalin e Kumanovës, si dhe shumë banorë shqiptarë, të cilët çdoherë kanë hasur në probleme kur me këtë institucion nuk udhëhequr shqiptarët.

Sipas Lëvizjes BESA – Kumanovë, kjo është hakmarrja e radhës e BDI-së ndaj kumanovarëve, kjo për shkak të humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit. Por, çuditemi me faktin se si e lejoi këtë vendim edhe Aleanca për Shqiptarët, sidomos ministri i Shëndetësisë, që është kuadër i tyre, të cilët u zotuan se do të jenë gardianë të të drejtave të shqiptarëve dhe avancimit të tyre. Kjo i bie se ata janë bërë gardianë të BDI-së.
Shqetësimi më i madh i kumanovarëve është se edhe kjo qeveri, që u proklamua si reformatore dhe qytetare, po vazhdon njësoj me diskriminimin dhe mospërfilljen e shqiptarëve të Kumanovës.
Prandaj ne e dënojmë këtë vendim dhe i bëjmë tirrje ministrit të Shëndetësisë që ta tërheqë atë! Në të kundërtën ai do të mbetet fajtori kryesor i këtij dëmi të radhës, që i shkaktohet Kumanovës”, – thuhet në reagimin e Lëizjes BESA – Kumanovë.