Lufta që na duhet: desoroizimi i të gjitha fijeve dhe qelizave wokiste
Që në fillim të titullit fjalën luftë e kam vendosur në thonjëza me një qëllim të paracaktuar. Nuk është kurrë e mirë të përdoret një fjalë e tillë, vetëm në rast se ajo shërben për të zgjidhur një konflikt të pamundur me asnjë mjet tjetër. Lufta është gjithmonë arsyeja e fundit thonë, atëherë kur kanë dështuar të gjitha interpretimet e tjera të saj. Së dyti, fjala luftë është përdorur qëllimisht për të ironizuar dhe sjellë në vëmendje shumë debate dhe deklarata të forta që po mbijnë nga të gjitha anët sot në Evropë: që nga sekretari i NATO-s, shefat e shërbimeve sekrete, e deri te kryeministra e përfaqësues të lartë të BE. Madje aq e pabesueshme në terma duket kjo propagandë burokratike, sa të duket se jemi në prag të një histerie. Si është e mundur të flitet vallë për përgatitjen e një lufte me intensitetin dhe vuajtje të barabarta me atë që përjetuan gjyshërit tanë? Çfarë mendojnë këta burokratë të rangut më të lartë se duan popujt e Evropës, vërtet një luftë apo një paqe? Nuk e vendosa më kot termin burokrat, sepse nga ana tjetër, popujt e Evropës dhe ndërgjegjja e tyre kolektive , nga shumë anketime, por edhe nga shumë votime, duket se kanë nevojë urgjentisht të zgjidhin halle e probleme të tjera.
Nuk është një luftë me Rusinë ajo që ata parësisht duan. Duket se një realitet hipokrit dhe manipulues po mundohet të imponohet kudo, me ndihmën e lëvizjes neoliberale dhe sorosiane, në shumë vende evropiane, të ndihmuara fuqimisht nga fijet e tyre në media, financë, politikë dhe Institucionet e BE. Vetëm se problemi nuk është frika e luftës, ashtu siç duan të na e parashtrojnë. Përkundrazi, problemi është mënyra e interpretimit se cili është armiku i Evropës. Është hedhur teza e riarmatimit dhe përgatitjes për luftë me Rusinë, por nëse është e vërtetë se armiku është Rusia, përse vallë Rusia nuk e sulmon tani Evropën, kur ajo gjendet ende në përgatitje e sipër ose jo e gatshme për luftë, por i duhet të prese kur ajo të bëhet gati? Mos vallë është e kundërta. Gjithsesi, ajo që popujt po shprehin, kudo nëpër vendet evropiane që po priren kah politikave të së djathtës apo dhe protestave masive në Bullgari dhe Rumani, tregojnë qartë prioritetin e një armiku tjetër, shumë më urgjent dhe më të rrezikshëm se Rusia.
E gjitha kjo nisi me fitoren e Trump në Amerikë, dhe me betejën e madhe elektorale që ndodhi aty. Që në programin e vet MAGA, kjo betejë elektorale nuk ishte thjesht një luftë për ndërrim pushteti, por një luftë e vërtetë ekzistenciale për vetë kombin dhe shtetin, midis liberal- konservatorëve dhe radikalëve të majtë, një betejë kjo për të ardhmen jo vetëm të Amerikës, por edhe të gjithë botës ku kjo luftë është kthyer në prioritet. Në prizmin e kësaj perspektive, armiku i zhvillimit ekonomik të çdo vendi, i sovranitetit të tij, i vlerave të qytetërimit perëndimor dhe i traditave, është wokizmi dhe gjithë struktura politike, financiare dhe juridike që ai ka ndërtuar me rrjetin e tij të fuqishëm në Amerikë, Kanada dhe Evropë. Një shpallje të tillë ia tha Evropës JD. Vance në fjalimin historik të Mynihut, duke rezonuar kështu një paradigmë të re për shpëtimin e Evropës nga krizat dhe rrënimi i vazhdueshëm politiko- ekonomik, por veçanërisht nga gërryerja e tmerrshme e vlerave dhe traditave shekullore. Ndaj, jo më kot, popujt evropianë po e shohin me shumë dyshim dhe skepticizëm këtë histeri lufte që po u propagandon media e institucioneve globaliste dhe qeveritë majtiste ose të lidhura me Sorosianët dhe frymën e tij wokiste. Jo më kot mjaft qeveri dhe kryeministra evropianë janë kundra kësaj retorike vuajtjesh e sakrificash të një lufte të panevojshme, pasi mendojnë dhe besojnë se lufta e vërtetë që duhet kryer është një tjetër: është lufta kundër politikave neo-liberale të wokizmit dhe globalizmit. Ja, kjo është lufta e vërtetë që i nevojitet urgjentisht Evropës, për tu kthyer në rrënjët e vlerave dhe traditave të veta. Kjo është lufta që i duhet edhe Shqipërisë: desoroizimi i të gjitha fijeve dhe qelizave wokiste në çdo fushë: politikë, klasë politike, media veçanërisht, emisione dhe komentatorë të caktuar të kësaj ideologjie, e deri te programet shkollore e shëndetësore.
Ku vallë e bazojmë një perspektivë të tillë? Që shumë nga kuajt e betejës wokiste tashmë janë rrëzuar e po shkatërrohen logjikisht dhe me fakte në Amerikën e Trump, tashmë kjo nuk është më çudi. Vetë Bill Gates, ideatori, zhvilluesi nëpër vite me propagandë dhe studime i lëvizjes së ndryshimit të klimës, para disa muajve pohoi se ndoshta ishte gabuar në vlerësimet e tij, e se faktikisht ndryshimi klimatik ekziston, por jo në përmasat kaq dramatike që u besuan, e aq më pak apokaliptike, që detyruan shtete e kombe të terë evropianë të frenojnë ekonomitë e tyre, e kësisoj edhe zhvillimin e tyre ekonomik.
Po njëlloj, vetë Barak Obama, në podkastin më të famshëm majtist, atë të gruas së tij Mishel Obama, bëri një deklarim që zhveshi nga e vërteta dhe fuqia e propagandës përkrahësit e të gjitha lëvizjeve feministe dhe të ideologjisë wokiste. "Jemi shtyrë shumë, gati përtej luftës sonë për të nivelëzuar distancën apo hendekun midis dy gjinive, burrit dhe gruas. Fajësisht e kemi detyruar djalin dhe burrin e sotëm të shtrëngohet të rrijë në një qoshe, duke dëmtuar kështu raportet sociale midis dy gjinive. Kuptohen qartë edhe nga vetë ideatorët e kësaj ideologjie, pasojat shkatërrimtare që wokizmi ka sjellë në shoqëritë perëndimore. Evropa, ka provuar gjithashtu në shoqëritë e saj për disa dekada tashmë, se multikulturalizmi ka vdekur, ai nuk mund të funksionojë më, pasi fakte të përditshëm e provojnë se emigrantët e shumtë që e vërshuan pa kriter, jo vetëm nuk janë përshtatur, por kanë arritur të ndikojnë egërsisht në traditat dhe vlerat evropiane themelore. Në Angli veçanërisht, por edhe në Francë, Hollandë e Belgjikë, për të mos folur për Gjermaninë e vendet nordike, është arritur deri aty sa të dëmtohet, frenohet dhe relativizohet edhe festimi publik i festave të tilla emblematike si krishtlindjet, që janë identitare në kulturën e saj, me pretekstin se fyen apo përdoret gjuhë urrejtje ndaj feve të tjera, kryesisht myslimane. Madje, dhe në shtetin katolik par exellence, në Itali, nëpër shkolla, nga frika e ligjeve absurde wokiste, nuk këndohen më si dikur këngët e kësaj feste, por tekstit të tyre u hiqet fjala Krisht ose krishtlindje. Po njëlloj, përveç multikulturalizmit, ka dështuar edhe vetë neoliberalizmi, pasi ai i ka kapërcyer skajshëm kufijtë e vet, duke u kthyer në anti- liberalizëm, në një luftë midis dy gjinive që është kthyer në një luftë të minorancës kundër mazhorancës, çka shprehet në censurimin radikal dhe absurd të çdo opinioni kundra një opinioni tjetër, të kamufluar me termin wokist " gjuhë urrejtje". Kjo ka shpënë ne një degradim të tmerrshëm të demokracisë së brendshme të vendeve evropiane, të lidhjeve sociale e gjinore, çka rëndon direkt mbi familjen, lindshmëritë dhe konceptit të rinisë për to.