Conte ‘thumbon’: Donim finalen, ishim skuadër dhe e nderuam turneun
Pas fitores ndaj Milanit në gjysmëfinalen e Superkupës Italiane, trajneri i Napolit, Antonio Conte, doli i kënaqur para mikrofonave të Mediaset, duke vlerësuar paraqitjen dhe shpirtin e skuadrës së tij.
“Kemi bërë një ndeshje të madhe kundër një skuadre të fortë si Milani. Jam i kënaqur, këta djem kanë treguar se duan të luajnë një finale. Tani do të presim finalisten tjetër. E kemi nderuar turneun, ku kemi ardhur me meritë, sepse kemi fituar kampionatin”, u shpreh Conte.
Tekniku i napolitanëve theksoi rëndësinë e kolektivit: “Ishim skuadër dhe kur arrijmë të jemi të tillë, jemi konkurrues, pavarësisht se kush luan”.
Sa i përket finales dhe kundërshtarit të ardhshëm, Conte ishte i qartë: “Bolonja apo Interi? Ne donim të ishim këtu për të luajtur finalen. Kishim një ‘scudetto’ në fanellë, askush nuk na ka ftuar, e kemi fituar të drejtën me fitoren e sezonit të kaluar. Të dyja janë të forta, do ta shohim ndeshjen dhe le të fitojë më i miri”.
Sfida u vendos edhe nga disa gabime të rënda në fazën mbrojtëse të Milanit: në rastin e parë u pa një ndërhyrje e pasigurt nga De Winter, ndërsa në të dytin portieri Maignan nuk ishte i saktë. Napoli përfitoi dhe e mbylli ndeshjen duke siguruar biletën për finalen e Superkupës.