SPAK – Gjykatë e Posaçme, autoritetet e betejës së Posaçme

Nga Basir Çollaku 

Belinda, Mirlinda, Linda. Dy të pandehura dhe njëra mes dyshimesh. Një në shtëpi e dy në qeveri. SPAK dhe Gjykata janë te dera. Kë të marr e kë të lë, është pyetja. Miliarda euro në qarkullim. Rama në krye. Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i marrin një telefon?! Ata e mohojnë. Përkohësisht. Kjo është shembje. Nuk funksionon operatori institucional i rendit dhe sigurisë. I sekuestruar. Në ripastrim.

Plehra, kurva, shkërdhata, palloshë, legena, trapa, baxhella. Këto dhe të tjera mënxyra gjuhësore janë shtrydhjet leksikore të ministres Balluku, zëvendëse e Ramës, drejtorëve, ekipit qeveritar, kur kafshojnë paratë publike, kur majmin shërbëtorë e hyzmeqarë, horra e trafikantë, qokaxhinj të kryeministrit, zvarranikë mediatikë të oborrit të vjedhjes së madhe. Sarhoshë ekranesh si shushunja në brekushet e KM-së dhe të qeverisë. Pak metra më tej, po në godinën e Ramës, AKSHI — një tjetër plaçkitje miliardash të qytetarëve. Organizatë kriminale. Mijëra mesazhe. Qindra kanosje e sharje. Përdorim privat i parasë dhe pronës publike. Nuk është vetëm Llogaraja dhe 7 lotët e Unazës për arrestin e Ballukut. Është edhe një koncesion. Nuk janë vetëm tenderat e AKSHI-t, por edhe siguria kombëtare, pengmarrjet. Spiunazhi me krimin vendas e të huaj, shërbimet, të dhënat sekrete në duar të mafias. Bishat e grabitjes nëpër zyra shtetërore, bashkë me organizatat kriminale ortake, kanë dalë nga binarët. Kanë rrokur armët për të ruajtur sinoret. KM është në panik. Është radha e tij. Për t’u përballur. Me drejtësinë. Me ortakët keqbërës të botës së zezë.

Por e gjitha kjo, e mbërritur deri këtu, ka një Autoritet. Është Struktura e Posaçme, Gjykata e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit. Natyrisht, nën mbështetjen intensive të SHBA-së. Në pak ditë aty ishin zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit, Mark Fleming, më 17 nëntor, dhe më 10 dhjetor zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore dhe Qendrore, Lyn Debevoise. Destinacion i qartë. Ashtu siç ka përsëritur e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Nancy VanHorn: do të luftojmë bashkë korrupsionin dhe kartelet e drogës. Është agjenda Trump edhe në Tiranë. Edhe BE po kthjellon shikimin. Disa vende si Belgjika, Holanda, Gjermania, Franca kanë rritur prurjet duke hetuar bashkërisht. Britania gjithashtu.

SPAK dhe Gjykata janë në Luftën e Madhe.

Sot janë Autoriteti që kryeson luftën, sepse ka përballë Qeverinë, të pandehurit brenda saj, në kupolën e pushtetit. Ngjarjet nëpër dosje janë me episode të rënda edhe jashtë Shqipërisë. Shumë të frikshme. Por kanë rënë në lak. Edhe këto institucione, SPAK dhe Gjykata, kanë rritur rezistencën. Po. Mëkate të vjetra ka. Dilema ka. Rezerva ka. Dyshime për kujtesë të lodhur ka. Ca nuanca amnistie të përkohshme në disa raste ka. Vend për më tepër ka. Por tani, duhet një mbështetje e madhe, e fortë, për ATA. Pas luftës, secilit hakun…