Nën hetim për korrupsion/ Policia bastis zyrën dhe shtëpinë e ministres franceze të Kulturës
Ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, është përfshirë zyrtarisht në një hetim gjyqësor për korrupsion dhe trafik influence, lidhur me dyshimet se ka përfituar rreth 299 mijë euro nga kompania energjetike GDF Suez, në një periudhë kur ushtronte mandatin e deputetes në Parlamentin Evropian.
Sipas raportimeve të mediave franceze, autoritetet kanë zhvilluar kontrolle në disa ambiente të lidhura me Dati, përfshirë banesat e saj, zyrat e Ministrisë së Kulturës, si edhe bashkinë e njësisë së 7-të administrative të Parisit, ku ajo mban postin e kryetares.
Prokuroria po heton dyshime për korrupsion aktiv dhe pasiv, shpërdorim të fondeve publike dhe pastrim parash. Pagesat e dyshuara, sipas burimeve, janë realizuar përmes një mekanizmi financiar kompleks, me dy transferta nga 149.500 euro secila.
Megjithëse Dati ka këmbëngulur se nuk ka kryer asnjë aktivitet profesional për GDF Suez, hetuesit kanë sekuestruar dokumente ku përmenden shënime si “Dati – honorare GDF Suez”, që kanë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e këtyre pagesave.
Kjo nuk është çështja e vetme gjyqësore që përfshin ministren. Ajo është gjithashtu e akuzuar në një proces tjetër për korrupsion, ku i bashkëpandehur është edhe ish-drejtori i Renault-Nissan, Carlos Ghosn. Seanca pritet të zhvillohet në shtator të vitit 2026.
Aktualisht, Rachida Dati ushtron detyrën e saj në Senatin francez, ndërsa përfaqësuesit ligjorë të saj nuk kanë reaguar ende publikisht lidhur me zhvillimet e fundit.