Rrënimi moral si dobësi e interesit kombëtar

Nga Endrit Reka/

Normalizimi i rrënimit moral i elitave dhe institucioneve, e transformon shtetin nga subjekt sovran në objekt të manipulueshëm, duke u shndërruar nga problem shoqëror në dobësi reale të sigurisë dhe interesit kombëtar. Rasti i Shqipërisë në një mjedis rajonal gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

Në analizat bashkëkohore të shtetit të së drejtës, rendit ligjor, ndarjes së pushteteve, praktikave institucionale, ndërgjegjes kombëtare etj., morali pothuajse nuk përmendet fare si element. Ai shpesh trajtohet si çështje private ose kulturore, i shkëputur nga politikat, aftësitë shtet formuese e institucionale dhe mbijetesa kombëtare. Maksimumi është kur morali përmendet në ndonjë vendim gjyqësor me fjalët “fryma e ligjit”, por edhe në këtë rast si pikë referimi i brendshëm për përdorim të brendshëm dhe jo rregullator nga jashtë. Ky qëndrim është krejtësisht fatal, pasi për shtete të vogla, veçanërisht në rajone me konkurrencë gjeopolitike aktive, morali personal dhe ai institucional i nëpunësit civil nuk është luks etik, por faktor përcaktues i qëndrueshmërisë shtetërore dhe kombëtare.

Shqipëria aktualisht na ofron një rast tipik për të kuptuar se si rrënimi moral, si normë e elitës drejtuese në institucionet publike, shndërrohet nga problem shoqëror e privat në dobësi strukturore dhe institucionale, me pasoja edhe në sigurinë kombëtare.

Në fillim të shekullit XX, pavarësisht kufizimeve historike dhe politike, shteti shqiptar, tepër i brishtë, ruante një koncept të qartë të detyrës publike. Shembulli i z. Mirash Ivanajt, ministër arsimi, (1932 - 1935), mbetet ilustrues jo për arsye nostalgjie, por sepse tregon ekzistencën e një norme institucionale: ndarjen e pakushtëzuar mes burimeve publike dhe përgjegjësisë private, ku ai zëvendësonte llambën e vajit të shkollës me atë private, menjëherë sapo mbaronte orari i punës. Këto norma nuk ishin thjesht virtyte personale; ato ishin themele të besimit institucional, të ngritura mbi moralin personal.

Sot, kjo ndarje është zbehur aq shumë, saqë rasti i z. Mirash Ivanaj aktualisht duket si përrallë apo realizëm magjik.

Narrativa dominuese politike dhe mediatike e pushtetit, e trajton moralin si çështje individuale private, pa lidhje me funksionimin e shtetit dhe pa pasoja për të. Kjo është vetëm gjysma e së vërtetës - dhe, siç na paralajmëron shkrimtari Xhevahir Spahiu, “të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, gjysma tjetër komploton kundër saj”. Nga një këndvështrim strategjik, kjo qasje është thellësisht e rrezikshme. Morali është një çështje individuale private, por për një punonjës administrate, pasojat e tij materializohen drejtpërdrejt në funksionin publik që ai ose ajo ushtron. Një administratë e komprometuar moralisht nuk është thjesht jo-etike; ajo është e ekspozuar. Zyrtarët me sjellje të dyshimta, lidhje informale, vese apo varësi personale apo financiare janë lehtësisht të shantazhueshëm. Në kontekstin e operacioneve hibride, kjo përbën një aset shumë më të vlefshëm sesa mjetet klasike të presionit. Situata bëhet edhe më e rrezikshme kur një shoqëri nuk është në gjendje as të artikulojë mungesën e moralit si një nga shkaktarët e fenomeneve negative me të cilat përballet.

Kjo nuk është një tezë teorike. Pak javë më parë, në Turqi u publikuan rezultatet e një anketimi kombëtar të realizuar nga kompania Gündemar, ku qytetarët u pyetën për shqetësimet kryesore me të cilat përballet shoqëria turke. Pas krizës ekonomike, shqetësimi i dytë më i madh i qytetarëve turq rezultoi të ishte rrënimi moral i shoqërisë - jo papunësia, jo emigracioni dhe as kërcënimet e jashtme. Ky rezultat është domethënës për një arsye kyçe: ai tregon se për një shoqëri funksionale, të qënurit i vetëdijshëm për atë që i mungon e bën atë shoqëri të ripërtëritshme dhe shpresëdhënëse për të ardhmen. Dhe si pasojë e këtij konstatimi ajo shoqëri kupton se morali nuk është luks kulturor, por bazë e rendit, stabilitetit dhe kohezionit afatgjatë.

Kontrasti me Shqipërinë është i mprehtë. Gjatë dekadave të fundit, në sondazhet dhe anketimet e shumta të zhvilluara në vend, morali nuk është artikuluar pothuajse kurrë si shqetësim publik. Jo sepse problemi nuk ekziston, por sepse është normalizuar deri në pikën ku nuk shihet më i nevojshëm në asnjë fushë. As kompanitë e sondazheve nuk e trajtojnë si indikator dhe as elitat politike e mediatike të pushtetit nuk kanë interes ta artikulojnë, pasi janë vetë pjesë e këtij degradimi.

Erozioni i referencave tradicionale - familja, meritokracia, kultura institucionale, atdhedashuria, besimi fetar, dhe etika profesionale - nuk ka prodhuar një shoqëri më të lirë apo më moderne. Përkundrazi, ka çuar në fragmentim shoqëror dhe në dobësim të besimit publik. Normalizimi i tradhtisë bashkëshortore, gjuha agresive e fëmijëve që në ciklin fillor, brutalizimi i komunikimit institucional, kriminalizimi që në moshë të re, tekstet e këngëve që i këndojnë substancave narkotike dhe promovimi mishtor nëpër ekrane nuk janë fenomene të shkëputura. Ato janë simptoma të një procesi të bashkërenduar të çmontimit të normave që e bëjnë një shoqëri të besueshme dhe një shtet funksional.

Nga perspektiva e sigurisë, pasojat janë serioze. Kur funksioni publik shndërrohet në instrument përfitimi privat, krimi i organizuar nuk mbetet më kërcënim i jashtëm, por integrohet në strukturat shtetërore. Në këtë fazë, shteti nuk lufton krimin; ai bashkëjeton me të. Sisteme të tilla mund të funksionojnë përkohësisht në kushte stabiliteti artificial, por janë strukturalisht të paafta për të përballuar kriza serioze - ekonomike, rajonale apo gjeopolitike.

Në Ballkan, ku konkurrenca gjeopolitike po ashpërsohet dhe operacionet hibride po zëvendësojnë përplasjen klasike, kjo dobësi është ekzistenciale. Struktura shtetërore me punonjëse pa standarde morale dhe pa kohezion institucional janë terren ideal për manipulim, presion dhe kapje të vendimmarrjes. Sovraniteti institucional tyre gërryhet gradualisht, pa pasur nevojë për ndërhyrje të hapura.

Elementi më shqetësues nuk është vetëm prania e rrënimit moral, por mungesa e artikulimit të tij si kërkesë qytetare. Kur shoqëria nuk e sheh më moralin si kriter për udhëheqjen politike, procesi i degradimit vetë-riprodhohet. Elitat e izoluara nga përgjegjësia nuk kanë arsye të reformohen, ndërsa individët dhe grupet me standarde morale mbeten të përjashtuar.

Në prag të një transformimi të madh të cilit Shqipëria po i afrohet me shpejtësi, rikthimi i moralit nuk është thirrje nostalgjike dhe as projekt ideologjik. Është domosdoshmëri strategjike. Një shtet që synon stabilitet, sovranitet real dhe zhvillim afatgjatë duhet ta trajtojë integritetin moral si kapital kombëtar: në arsim, në administratë, në përzgjedhjen e elitave dhe në standardet e jetës publike.

Një komb pa financa të, mund të marrë hua. Nëse nuk ka kapacitete ushtarake, mund të mbështetet përkohësisht te aleatët. Por një komb pa themele morale humbet aftësinë për të vepruar si i tillë dhe shkon drejt shuarjes. Ai nuk pushtohet; ai përdoret, edhe kundër vetes së tij, pa e kuptuar.

Nëse Shqipëria dhe hapësira shqiptare synojnë të jenë më të sigurta, më pak të shantazhueshme dhe më të respektuara nga partnerët tanë strategjikë, rindërtimi i standardeve morale dhe institucionale duhet të trajtohet me përparësi. Historia jonë ofron mjaft shembuj. Pyetja nuk është nëse ekzistojnë, por nëse ekziston ende mundësia e vullneti për t’i marrë seriozisht.