GJED 'shuplakë' tjetër Melonit: Italia s’mund t’i heqë mbështetjen azilkërkuesit pse refuzon transferimin

Autoritetet italiane nuk mund t’i tërheqin të gjithë mbështetjen, përfshirë akomodimin dhe ushqimin, një azilkërkuesi vetëm sepse personi refuzon transferimin në një qendër tjetër pritjeje, vendosi të enjten Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED).

Çështja para gjykatës me seli në Luksemburg, ka të bëjë me një burrë tunizian dhe djalin e tij të mitur, të cilët ishin strehuar në një qendër në Milano në Italinë veriore.

Burri humbi të gjitha përfitimet, duke përfshirë akomodimin, ushqimin, veshmbathjen dhe mbështetjen financiare, pasi refuzoi të transferohej në një qendër tjetër. Ai u akuzua gjithashtu se kishte ndikuar negativisht në funksionimin dhe sigurinë e qendrës, ku ishte vendosur fillimisht.

Një gjykatë italiane shprehu rezerva në lidhje me vendimin e autoriteteve dhe ia referoi çështjen Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, me arsyetimin se mund të shkelte rregulloret e BE-së.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë tani ka vendosur që tërheqja e plotë e përfitimeve, nuk mund të justifikohet në këtë rast.

Por gjithashtu vendosi që sjellja e burrit përbënte një shkelje të rëndë të rregullave dhe se kjo sjellje mund t'i nënshtrohej sanksioneve proporcionale. Ndërsa tërheqja e plotë e të gjithë mbështetjes nuk ishte proporcionale, Italia kishte të drejtë të impononte një transferim, vendosi GJED./ DPA News.