Harry Kane flet për mënyrën se si po e mëson gjermanishten: Po filloj të kuptoj nga pak...

Harry Kane, i cili u transferua te Bayerni në verën e vitit 2023 dhe u shndërrua menjëherë në një nga ‘yjet’ kryesorë të skuadrës, ka folur për përpjekjet e tij për të mësuar gjuhën gjermane, një proces që po rezulton mjaft sfidues.

Në një intervistë për Sky, sulmuesi anglez tregoi për progresin e tij:

“Jam ende duke mësuar. Fëmijët e mi po mësojnë më shpejt se unë, por unë vazhdoj të bëj dy ose tri mësime të shkurtra në javë. Ngadalë po filloj të kuptoj pak më shumë, sidomos kur i dëgjoj disa nga shokët e skuadrës. Por ende nuk flas gjermanisht.”

‘Ylli’ i Bayern-it shtoi gjithashtu se shpreson që me kalimin e kohës të ndihet më i sigurt:

“Shpresoj që në fund të sezonit do të jem në gjendje të zhvilloj një bisedë të shkurtër me disa prej jush pas ndeshjes, por është vërtet e vështirë. Për momentin, po e mbaj për vete gjermanishten time, sepse nuk dua që të më pyesin për të pas ndeshjes së radhës. Prandaj po pres dhe më pas do të provoj të bëj biseda të shkurtra kur të ndihem rehat.”

Një rrëfim i sinqertë nga Kane, që tregon se edhe për një ‘yll’ të futbollit, përshtatja me një gjuhë dhe kulturë të re kërkon kohë dhe durim.