Napoli–Milan/ Allegri ndryshon gjithçka, Modric në stol, është mundësia e Ardon Jasharit
Sot nis zyrtarisht Superkupa Italiane me gjysmëfinalen e parë mes Napolit dhe Milanit, një përballje prestigjioze që do të luhet në orën 20:00, në stadiumin “Al-Aëëal”, në Riad. Napoli vjen si kampion në fuqi i Italisë, ndërsa Milani si fitues i edicionit të kaluar dhe finalist i Kupës së Italisë. Fituesi do të përballet në finale me njërin mes Interit dhe Bolonjës.
Napoli i Antonio Contes mund të ketë një mungesë të rëndësishme: Olivera është në dyshim për shkak të një shqetësimi në pulpë dhe vështirë se do të nisë nga fillimi. Lukaku është rikthyer në grup, por pritet të aktivizohet gjatë ndeshjes. Në skemën 3-4-2-1, Hojlund do të jetë pika referuese në sulm, i mbështetur nga Neres dhe Lang, me Lobotkën dhe McTominay në mesfushë.
Te Milani, Massimiliano Allegri përgatit disa ndryshime të rëndësishme. Leao është në dyshim dhe maksimumi do të jetë në stol, ndërsa në mesfushë rikthehet Fofana. Surpriza kryesore është zgjedhja për ta lënë Modric-in në stol: drejtimi i lojës do t’i besohet Ardon Jasharit, i mbështetur nga Rabiot dhe Fofana. Në sulm konfirmohet dyshja Nkunku–Pulisic.
Një ndeshje me peshë të madhe, ku zgjedhjet e Allegrit dhe energjia e Jasharit mund të bëjnë diferencën.