Gjykata e Durrësit liron ish efektivin e RENEA-s, Arbër Paplekaj
Lirohet nga burgu, Arbër Paplekaj, ish oficeri i RENEA-s. Burime bëjnë me dije se gjykata e Durrësit liroi Arbër Paplekajn me kusht.
Ish efektivi kishte paraqitur kërkesën për lirimin e tij nga qelia në Gjykatën e Durrësit.
Në kërkesën e tij, ish-efektivi i RENEA-s ka argumentuar se ka kryer pjesën më të madhe të dënimit. Seanca është planifikuar të zhvillohet më 16 Korrik.
Gjykata e Apelit me një vendim të datës 1 korrik 2024, e kishte dënuar me 7 vite burg ish-efektivin e RENEA-s.
Togat e zeza ndryshuan akuzën ndaj tij nga “Vrasje në rrethana cilësuese”, në “Vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.
Po kështu, Apeli në atë kohë dha pafajësi për 6 efektivët e “Shqiponjave” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.
Për ta, Gjykata e Elbasanit kishte dhënë dënimin me 16 muaj shërbim prove. Të pafajshëm u shpallën edhe dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla për të cilët Gjykata e Elbasanit kishte dhënë nga 1 vit shërbim prove për secilin.
Vrasja e Pjerin Xhuvanit, përkrahës i PS, ndodhi më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Ngjarja ndodhi pas përplasjes mes shtabeve elektorale për të mbrojtur votat, ku ndaluan makinën e Mehmet Greçës, pasi ai kishte në mjet jo vetëm para për të shpërndarë për blerje votash, por madje edhe listat e zgjedhësve.
Ky i fundi u tha se thirri në ndihmë Pjerin Xhuvanin, i cili mbërriti aty dhe fatkeqësisht humbi jetën në atë shkëmbim zjarri. Policia dhe prokuroria e Elbasan thanë se gjithçka ndodhi pas një sherri verbal mes palëve, ku u vra Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota.
Gjykata e Durrësit:
VENDOSI
1. Pranimin e kërkesës së kërkuesit A.P.
2. Lirimin me kusht të kërkuesit (të dënuarit) A.P, për pjesën e mbetur të pavuajtur prej 6 (gjashtë) muaj e 1 (një) ditë burgim.
3. Në bazë të neneve 61 dhe 64 të Kodit Penal detyrohet kërkuesi A. P.të mbajë kontakt me Shërbimin e Provës Durrës gjatë periudhës prej 6 (gjashtë) muaj e 1 (një) ditë dhe të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë periudhës së provës së mësipërme.
4. Bazuar në nenin 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet kërkuesi A. P. të mos shoqërohet me persona të dënuar gjatë periudhës së provës.
5. Urdhërohet lirimi A. P. nga Dhomat e burgimit të I.E.V.P Durrës nëse nuk mbahet i arrestuar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
6. Një kopje e këtij vendimi i dërgohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për zbatim.
7. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
U shpall më datë 16.12.2025